Fshati Hoçë e Madhe shtrihet në pjesën jugore të qytetit të Rahovecit, kurse afërsisht 20 km në perëndim të Prizrenit. Fshati ka një popullsi rreth 700 banorë, kryesisht të komunitetit serb. Posedon klimë kontinentale me ndikime mesdhetare ku temperaturat vjetore arrijnë prej -20o deri në 40oC. Kjo përzierje klimash është shumë e favorshme për zhvillimin e vreshtarisë, me rryma të ngrohta të ajrit që vijnë nga lugina e lumit Drini i Bardhë, e cila është e dobishme edhe për bujqësinë. Pozita e favorshme gjeografike dhe burimet e pasura natyrore kanë ndikuar që ky vendbanim të jetë i favorshëm, atraktiv dhe i banueshëm. Sipas disa autoreve fshati ishte i banuar që nga koha e periudhës Romake dhe se popullsia vendore merrej me vreshtari dhe bujqësi.
Dokumentet e para te shkruara datojnë nga periudha e mesjetës së zhvilluar. Mendohet se gjatë kësaj periudhe Hoça e Madhe u bë qendër e vogël tregtare, prodhuese dhe kulturore. U zhvilluan disa zeje, si dhe prodhimi i verës dhe bujqësia luajtën një rol te rëndësishëm. Prandaj për këtë arsye, fshati ka trashëguar një koleksion të pasur të objekteve me interes historik, kulturor e shpirtëror.
Hoça e Madhe ka arkitekturë që përbëhet nga objekte fetare dhe popullore. Nga periudha e krijimit te këtij fshati kanë mbetur disa kisha dhe faltore, fshati ka 13 kisha të ndërtuara në shekujt XII, XIV e XVI dhe shumë objekte, shtëpi banimi tradicionale dhe mullinj me ujë. Dy llojet kryesore të vendbanimeve popullore që dominojnë në Kosovë ose në Hoçë të Madhe janë shtëpia e gurit dhe shtëpia e llojit-oriental. Fshati Hoçë e Madhe është i mbrojtur me ligj (LIGJI NR. 04/L-62 PËR FSHATIN HOÇË E MADHE) dhe është zonë e veçantë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore të Kosovës.