Sahat Kulla ndodhet në lagjen Gradina, në qendrën e vjetër të Rahovecit. Është ndërtuar nga Mahmut Pashë Rrotulli në fund të shekullit XVIII. Mbi portën në anën veri-lindore në gur të gdhendur gjendet mbishkrimi në gjuhën osmane – viti i ndërtimit sipas kalendarit të Hixhrit 1206, që përkon me vitin 1792.
Sahat Kulla ka një pozitë strategjike, duke paraqitur pikën më të lartë në siluetën e Rahovecit. Ajo ka shërbyer për orientimin e banorëve për kohën dhe si pikë strategjike vrojtuese.
Sahat Kulla ka planimetri drejtkëndëshe, e ndërtuar me gurë me forma të ndryshme, të lidhur me llaç gëlqeror. Gurët në kënde të bazës janë të gdhendura me formë drejtkëndëshe, duke krijuar në këtë mënyrë kënde të theksuara përgjatë katër fasadave. Ndërtesa nuk është e suvatuar, ku shihet qartë struktura e murimit.
Pjesa e sipërme mbulohet me një kulm katër ujor, të mbuluar me pllaka plumbi. Mbi kulmin katër ujor shtrihet vrojtorja me planimetri katrore, ku është e vendosur kambana. Kjo vrojtore gjithashtu është e mbuluar me kulm katër ujor, me pllaka të plumbit.
Hyrja në Sahat Kullë realizohet nëpërmjet shkallëve të jashtme nga guri, të vendosura në anën veri-lindore. Shkallët nga guri shpijnë në portën hyrëse nga druri, me kornizë gjysmë rrethore nga gur të gdhendur. Nga porta, në brendi gjendet shkallët e drurit që shpijnë në pjesën e sipërme.
Në enterier të Sahat Kullës gjendet mekanizmi i orës, me mbishkrim të gdhendur LEOPOLD DPABEINGER in SSJENN A793, që nënkupton vitin e prodhimit 1793. Ora e cila ka qenë e vendosur në kullë nuk funksionon dhe është ruajtur në hapësirat e Muzeut të Rahovecit.
Gjatë viteve 2009-2010 është bërë restaurimi i tërësishëm i Sahat Kullës, me ç’rast është vendosur një orë e re.
Me pozitën e saj dominonte në peizazhin e qytetit dhe formën karakteristike, Sahat Kulla në Rahovec paraqet një monument më rëndësi të veçantë historike, artistike, shoqërore dhe shkencore.

Kroi i gurit, ndryshe i quajtur edhe si Kroi i Haxhive, gjendet në pjesën jug-perëndimore të qendrës së vjetër të Rahovecit. Në bazë të mbishkrimit në gjuhën osmane, është ndërtuar në vitin 1813.
Kroi prej kohës kur është ndërtuar e deri më sot shërben si krua publik, për furnizim të banorëve dhe kalimtarëve me ujë të pijshëm. Uji në krua vjen me rënie të lirë nga burimi Zhdrella.
Kroi i takon tipit të krojeve të mbështetura të cilat janë ndërtuar kryesisht në kënd të rrugëve. Ka një trajtim të thjeshtë dekorativ. Përbëhet prej dy pjesëve, ballores dhe vaskës. Ballorja ka planimetri drejtkëndore, dhe është punuar nga gurët e gdhendur në formë drejtkëndëshi të lidhur me llaç gëlqeror. Pjesa e sipërme e ballores përfundon në formë të timpanorit dhe mbulohet me një kulm dy-ujor të formësuar nga rrasa gurësh. Në mes të timpanorit është gdhendur një gur në formë rrethi, ku paraqitet dielli dhe rrezet e tij. Në këndin e poshtëm në të djathtë gjendet nisha për vendosjen e sapunit dhe rekuizitave të tjera.
Vaska ka planimetri jo të rregullt në formë katërkëndëshi, e punuar nga guri gëlqeror monolit.
Mbishkrimi, i cili gjendet në anën lindore të murit, është i shkruar në gur gëlqeror me stilin kufi dhe përmban datën e ndërtimit të kroit.
Prej kohës kur është ndërtuar e deri më tani, kroi ka mbetur në vendin fillestar me disa adaptime të vogla. Ky krua me formën, përmasat, teknikën e ndërtimit dhe trajtimin artistik paraqet një shembull të veçantë të krojeve publike të ndërtuara gjatë shek. XIX në Rahovec.

Shtëpia e Qamil Vuçitërnës gjendet në qendër e vjetër të Rahovecit. Supozohet të jetë ndërtuar në fund të shek. XIX. Prej kohës kur është ndërtuar e deri para disa viteve ka qenë e banuar.
Shtëpia ndodhet mbi një terren të pjerrët shkëmbor, ku edhe organizimi hapësinor iu është përshtatur konfiguracionit të terrenit. Ka planimetri jo të rregullt katërkëndëshe, të ndërtuar në përdhese dhe kat. Përdhesa është shfrytëzuar për funksionet ekonomike, të ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimit, kurse kati ka shërbyer për banim.
Fasada lindore dhe jugore kufizohen me ndërtesa tjera banimi, kurse fasada perëndimore është e orientuar kah rruga. Këto fasada kanë një trajtim të thjeshtë linear pa ndonjë dekorim. Fasada ballore, ajo veriore e cila është e orientuar kah oborri i brendshëm ka një trajtim më të veçantë.
Muret në përdhese janë ndërtuar nga gurë të gdhendur në formë drejtkëndëshe, të përforcuar me trarë druri, duke krijuar brezat horizontal. Muret në kat janë ndërtuar nga tulla dheu të pjekur – qerpiçi.
Kulmi është katër ujor, fillimisht i mbuluar me rrasa guri, kurse gjatë mesit të shek. XX, është mbuluar me pllaka të valëzuar – sallonit.
Në enterier të shtëpisë janë ruajtur disa elemente origjinale tradicionale, të cilët karakterizohen me një nivel të lartë të drugdhendjes. Nga elementet në enterier vlen të theksohen, shkallët e vjetra nga druri, dhe tavanet nga druri të punuara në stilin shishe tavan.
Krahas drugdhendjes edhe përpunimi i gurit është trajtuar me nivel të lartë artistik. Këtu veçohen gurët e gdhendur të përdorur në strukturën e mureve në përdhese; dhe porta me hapje harkore nga guri në fasadën ballore.
Gjatë viteve ndërtesa ka pësuar transformime të shumta për t’u përshtatur nevojave të jetës moderne. Dritaret në fasadën ballore kanë pasur kornizë të punuar nga guri, kurse tani janë zëvendësuar me dritare me kornizë druri;
Proporcionet e ndërtesës, fasada ballore e theksuar, materialet dhe teknika e ndërtimit, paraqesin karakteristikat kryesore të kësaj kulle-shtëpie.

Kalaja e Rahovecit ndodhet në lindje të qytetit të Rahovecit, ky fortifikim njihet nga banorët vendas si Kalaja e Durmanit. Kalaja ka një pozitë gjeostrategjike shumë të rëndësishme. Ajo zotëron një këndvështrim të gjerë në arealin gjeografik dhe ka pika shikimi reciproke me kështjellat e tjera përreth, si me Zatriqin, Cërmjanin, në anën veriore; Vraniqin dhe Korishën në krahun juglindor, si dhe Karashëngjergjin dhe Vlashnjën në anën jugperëndimore.
Kështjella është e vendosur mbi dy kodra me lartësi mbidetare 722 dhe 702 m, ka një formë të zgjatur, që i përshtatet jo rrallë konfiguracionit të terrenit. Pjesa gjatësore e fortifikimit me orientim lindje-perëndim është rreth 200 m, ndërsa gjerësia luhatet nga 44 m në ekstremin veriperëndimor deri në 55 m në atë juglindor. Brenda këtij perimetri muresh rrethohet një sipërfaqe rreth 0,60 ha.
Muret e kalasë ruhen mirë mbi sipërfaqe. Kjo më së miri vërehet në anët jugore dhe lindore, ku lartësia e tyre arrin deri në 1,10 m. Në pjesët e tjera, veriore dhe perëndimore, muret kanë formën e një traseje mbi sipërfaqen e tokës, ndërsa në ekstremin jugperëndimor ka vende ku mungojnë.
Muret rrethuese ruajnë një teknikë ndërtimi të njëjtës formë për të gjithë fortifikimin.
Krahu i murit jugor të kështjellës është i fortifikuar me 5 kulla, që paraqesin tipa të ndryshëm planimetrish, në formë patkoi (kullat nr. 1 dhe 5), katrore (nr. 2 dhe 4) dhe drejtkëndore (kulla nr. 3).
Fortifikimi i pjesës jugore me 5 kulla, siguronte një mbrojtje aktive në pjesën më pak të mbrojtur të kodrës, të ekspozuar kundruall territorit fushor dhe kodrinor të komunës së sotme të Suharekës, mjaft të pasur me gjurmë vendbanimesh të Periudhës Romake dhe Antike të Vonë.
Mbështetur në teknikën e ndërtimit të mureve rrethuese, formën planimetrike të kullave dhe në elemente të tjera, mendojmë se kalaja e Rahovecit i përket një fortifikimi me karakter vrojtues ushtarak në këtë pjese të trasesë që lidhte zonat malore me qendrën e rëndësishme të Ulpianës. Vendbanimet e shumta përreth këtij fortifikimi, të cilat janë të shekujve III-IV, flasin për rëndësinë që kishte kjo zonë në këtë periudhe. Ekzistenca e rrugëve të komunikacionit, siç ishte traseja Lissus-Naissus përgjatë kësaj treve, me siguri solli si nevojë ndërtimin e këtij fortifikimi me karakter ushtarak me qëllim vrojtimi të zonës dhe ruajtjen e kësaj arterie lidhëse ekonomike. Muri ndarës brenda fortifikimit dëshmon një vazhdimësi të jetës së këtij fortifikimi, së paku edhe në dy shekujt e mëvonshëm V dhe VI.

Në hyrje të fshatit Celinë, ndodhet një kodër e njohur me emrin “Brzhe Bërde”. Në shpatin jugor të kësaj kodre gjenden ende sot disa varre. Në një sipërfaqe përafërsisht 0.2 ha duken rreth 20 varre me konstruksion gurësh. Dy gurë gëlqerorë vertikalë ndodhen tek koka dhe këmbët e varreve të orientuara përgjithësisht verilindje-jugperëndim. Në dy prej këtyre varreve gurët e kokës janë të skalitur mirë dhe kanë të gdhendur nga një kryq, që për nga forma ngjason me kryqin e tipit maltez.

Vendbanimi romak i Çifllakut ndodhet në afërsi të rrjedhjes së Drinit të Bardhë në krahun e majtë të tij. Kufizohet në veri me fshatin Kramovik, në lindje me Gurin e Kuq, ndërsa në perëndim me Meqen dhe Rakovinën. Lokaliteti shtrihet në pjesën më të madhe të tarracës së krijuar nga veprimtaria lumore në një fushë mjaftë pjellore me një pozicion të favorshëm gjeografik. Hulumtimet e zhvilluara në pjesën e parë të mileniumit tonë, gjegjësisht gërmimet e kontrollit të vitit 2001 dhe gërmimet arkeologjike të vitit 2002 dhe 2004, identifikuan gjurmë të një kompleksi banimi të periudhës romake të përbërë nga banesa romake (shtëpi banimi), ambiente tjera përcjellëse dhe të një terme gjegjësisht të një banje romake me përmasa shumë të mëdha, ku ndër të tjera u dokumentuan edhe pjesë të ambientit të pishinës. Strukturat arkitektonike dhe materialet e zbuluara treguan që kemi të bëjmë me një lokalitet të periudhës romake të shekujve I-IV. Muret ishin të ndërtuara me gurë dhe tullë, të lidhura me llaç gëlqeror të cilësisë së mirë, ka ambiente ku është hasur edhe në suva të brendshme – afreska, dhe shtresë hidro-izoluese, llaç gëlqeror i përzier me pluhur tulle.
Materiali i pasur arkeologjik i zbuluar këtu ka një larmi dhe tipologji të begatë të prodhimit lokal si dhe terrasigilata e importuar. Gjithashtu u zbuluan vegla pune të ndryshme, tjegulla e tulla të ndryshme, enë kuzhine të përmasave dhe formave të ndryshme, enë qelqi, stoli metali, si dhe monedha, fragmente arkitektonike e artefakte të tjera të përdorimit të përditshëm.
Shikuar në aspektin kronologjik, vendbanimi i Çifllakut datohet gjatë tërë periudhës romake të shekujve I-IV, dhe këtu u konstatuan dy faza ndërtimi të kohës në fjalë. Periudha e parë e ndërtimit është e shekujve I-II dhe e dyta III-IV.

Kulla e Ismet Çmegës gjendet në qendrën e vjetër të Rahovecit, në sheshin “Vrella”. Është ndërtuar gjatë shek. XIX nga ana e Dervish Meriqit, kurse tani është në pronësi të familjes Çmega.
Ndërtesa i ka veçoritë karakteristike të kullave që janë ndërtuar gjatë shek. XIX në rrafshin e Dukagjinit.
Ka planimetri katërkëndëshe me dimensione 6.3 x 4.3 m. Është e ndërtuar në përdhese dhe ka dy kate. Përdhesa dhe kati kanë nga një hapësirë, ku vetëm hapësira e shkallëve ndahet me mur të brendshëm. Bazuar në skemën tipike funksionale të kullave, ambienti më karakteristik që paraqitet në katin e dytë është dyshekllëku. Edhe në këtë kullë dyshekllëku i gurit shtrihet në të dy anët e kullës, në gjithë ballin e fasadës jugore dhe pjesërisht në atë perëndimore.
Muret në përdhese janë ndërtuar nga gurë vendorë me një gjerësi rreth 60 cm, kurse në kate janë punuar nga dheu i pjekur – qerpiçi. Material tjetër që hasim në ndërtimin e kësaj kulle është druri, i cili është përdorur për ndërtimin e konstruksionit të kulmit si dhe për konstruksion mes-katesh në formë të trarëve dhe dyshemesë nga dërrasat.
Kulmi është katër-ujor i mbuluar me rrasa guri, mbulesë karakteristike e kulmeve të rajonit të Rahovecit.
Prej kohës kur është ndërtuar e deri tani, kulla është shfrytëzuar për banim, kurse sot është e pabanuar.
Ndërhyrjet restauruese të vitit 2014 kanë ndikuar në konsolidimin e strukturës së kullës, duke i rikthyer vlerat këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të rajonit të Rahovecit

Shtëpia e Mustafa Jusuf Kadriut, para rrënimit, me fasadën ballore të orientuar kah juglindja shtrihej në qendrën të Rahovecit, përballë teqesë Halveti. Në kuadër të shtëpisë gjendej oborri i rrethuar me disa shtëpi të reja.
Shtëpia ishte i ndërtuar në shekullin XIX, gjegjësisht në vitin 1893 dhe gjatë tërë kohës së ekzistencës së saj shërbeu për banim. Ishte i ndërtuar në terren të rrafshët, me planimetri drejtkëndëshe, në dy nivele, përdhese dhe kat.
Themelet ishin të ndërtuar prej material guri vendor. Muret e përdheses dhe muret mbajtëse të katit ishin të ndërtuar prej materiali të gurit vendor dhe qerpiçit, të lidhura me llaç balte. Përforcimi horizontal i mureve ishte bërë nëpërmjet trarëve nga druri, hatullave. Muret ndarëse të katit kanë qenë të punuara nga konstruksioni i drurit të mbushura me qerpiç dhe të suvatosura me llaç balte (sistem bondruk). Sipërfaqja e mureve të brendshme ishte i suvatuar dhe lyer me gëlqere. Trashësia e mureve konstruktive ishte ~75 cm, ndërsa muret ndarëse 15-20 cm..
Konstruksionet e mes-katit dhe të kulmit kanë qenë të punuara me trarë prej druri. Kulmi ishte katër ujorë, i mbuluar me tjegulla gjysmë të luguara “Mediteran”. Dyert dhe dritaret ishin origjinale të kohës punuara prej druri. Tavanet e dhomave ishin të punuara prej druri, në formë “shishe tavan”.
Objekti në fjalë ka qenë ndër objektet të rralla banimit me vlera të larta arkitekturës vernakulare vendore në Rahovec. Por fatkeqësisht shtëpia u rrënua tërësisht në vitin 2015, nga vet pronari i shtëpisë, pra ajo sot më nuk ekziston.

Xhamia e Kasumit, e orientuar me fasadën ballore kah veriu gjendet në qytetin e Rahovecit, në rrugën Bekim Sylka. Në afërsi të xhamisë gjenden: sheshi Republika, kroi i vjetër në shesh, xhamia e Sokolit, Kulla e Hajrullah Çantës, si dhe shtëpitë të vjetra tradicionale përreth.
Sipas banorëve të Rahovecit, xhamia e Kasumit u ndërtua në shekullin XIX, në vitin 1826 nga familja Haxhimustafa me përkrahje të banorëve, ndërsa trualli u dhurua nga bamirësi Kosum Shtatvica.
Nga aspekti arkitektonik xhamia është ndërtuar në terren të pjerrët, me planimetri drejtkëndëshe, dhe përbëhet nga salla e lutjeve: në formë katrore me përmasa 677×657 cm, lartësi 625 cm, nga hajati: gjysmë i hapur i mbuluar me kulm, i cili shërben për hyrje në xhami, me planimetri jo të rregullt, si dhe aneksin: i ndërtuar më vonë në krahun lindor të xhamisë, në formë drejtkëndëshi, me përmasa 577×360 cm dhe lartësi 240 cm.
Salla e lutjeve ka çardakun apo mahvilin, i ndërtuar me konstruksion druri dhe mbahet me dy shtylla gjithashtu prej druri, si dhe rrethohet me rrethoja apo trapazanë prej druri. Konstruksioni i mahvilit dhe shtyllat janë të mbuluara me allçi-gips, ngjyrë të bardhë. Qasja për në mahvil mundësohet përmes shkallëve të minares.
Gjithashtu, në sallën e lutjeve gjendet Mihrabi, i futur në mur, Mimberi dhe Kyrsy, i punuar prej druri.
Në brendi të xhamisë gjegjësisht në kupolë gjenden pikturat murale me dekorime gjeometrike dhe florale. Minarja e xhamisë është me një sherefe dhe qasja mundësohet përmes hapjes në mur, e cila gjendet në nivel të sallës së lutjeve.
Themelet të xhamisë supozohen të jenë prej material guri, ndërkaq muret të sallës së lutjeve, me trashësi 70 cm, janë prej tullave të pjekura të lidhur me llaç çimentoje, kurse muret e hajatit dhe aneksit janë prej blloqeve betoni, trashësi 25 cm. Minarja e xhamisë është e ndërtuar me gurë shpuzore-siga, e suvatosur nga jashtë me llaç çimentoje dhe është meremetuar pas viteve 2000, si pasoj e dëmtimeve nga granatat, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999.
Pajisjet e paluajtshme: Mihrabi; Mimberi i punuar prej druri me dekorime gjeometrike. Është transferuar nga xhamia e çarshisë me çardak, e rrënuar më 2000; Kyrsy i punuar prej druri; Gardhi i mahvilit i punuar prej druri; Piktura murale me dekorime gjeometrike dhe florale në kupolë;
Pajisjet e luajtshme: Tespihet; Orë e madhe prej druri; Bazamenti i kapitelit, i gdhendur prej guri vendor, i cili gjendet në oborr të xhamisë;
Xhamia ka vlerë historike sepse gjatë viteve ’90 ka shërbyer si shkollë të mesme, për nxënësit të Komunës së Rahovecit; Gjatë demonstratave dhe protestave gjithëkombëtare ka shërbyer për tubime demonstruese dhe strehimin e tyre; Ndërkaq gjatë luftës së fundit në Kosovë në viteve 1998-99 ka shërbyer si depo të ushqimit, veshmbathjes, për furnizimin e luftëtarët të UÇK-së.
Xhamia, gjatë tërë kohës ka shërbyer dhe akoma shërben si xhami, vend kulti islam për banorët e Rahovecit.

Teqeja e Madhe në Rahovec i takon tarikatit Halveti. Ky objekt sakral islam gjendet në qendër të qytetit të Rahovecit. Teqeja e Halvetive në Rahovec është ndërtuar në vitin 1732. Themeluesi i kësaj teqeje është: Sheh Sylejman Baba Rahoveci, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1771.
Kompleksi i teqesë përbëhet nga disa njësi kryesore: teqeja me hapësirat e dedikuara për besimtarët e Tarikatit Halveti; dy tyrbe ku janë varrosur udhëheqësit shpirtëror të teqesë; oborri dhe hapësirat ekonomike.
Ndërtesa e teqesë ka planimetri jo të rregullt ku gjenden dhoma e Shehut, dhoma e takimit të besimtarëve me Shehun, salla e lutjeve – Semahanja dhe biblioteka e cila posedon një fond të pasur me libra e dorëshkrime të vjetra. Në jug të teqesë është e bashkangjitur tyrbja e cila formon fasadën e kompleksit kah rruga kryesore. Fasada ballore përbëhet nga nëntë dritare me hapje gjysmë rrethore, dhe është e pa suvatuar ku shihet struktura e gurëve të gdhendur në formë të rregullt. Teqeja është e ndërtuar me gurë, ndërsa kulmi fillimisht ka qenë i mbuluar me rrasa guri, material tradicional karakteristik për Rahovecin dhe rajonin, kurse më vonë ato janë zëvendësuar me tjegulla argjile.
Enterieri i teqesë ka një trajtim të lartë etnologjik dhe është i pasur me elemente tradicionale të teqesë, sikurse: libra dhe dorëshkrime të vjetra, vegla, instrumente muzikore etj. Konstruksioni i saj përbehet nga druri i stilizuar dhe i përpunuar mire. Është ndërtuar nga mjeshtrit vendor. Në dhomën e lutjeve – semahane, gjendet nisha që e shënon mihrabin, e cila është e dekoruar me pllaka qeramike me motive gjeometrike. Teqeja gjatë periudhave të ndryshme kohore ka përjetuar intervenime të ndryshme për adaptim në kushtet moderne.

Kulla-shtëpi e Hajrullah Çantës gjendet në Rahovec, në sheshin “Republika”. Supozohet të jetë ndërtuar kah fundi i shek. XVIII. Prej kohës kur është ndërtuar e deri tani ka pësuar mjaft transformime, si në aspektin fizik, po ashtu edhe në atë funksional.
Fillimisht ka shërbyer si kullë banimi dhe vrojtimi, kurse gjatë shek. XIX e deri në vitin 1908 ka shërbyer si bazë ushtarake e Perandorisë Osmane. Pas kësaj periudhe përsëri është adaptuar për banim.
Kulla-shtëpi ka planimetri katërkëndëshe jo të rregullt dhe është e ndërtuar në përdhese të lartë dhe kat.
Fasadat veriore dhe lindore e kufizojnë ndërtesën me rrugën, dhe kanë një trajtim të thjeshtë linear pa ndonjë dekorim. Fasada ballore (jugore), e cila është e orientuar kah oborri i brendshëm, ka një trajtim të lartë artistik. Në këtë fasadë theksohet pjesa qendrore, e cila del nga perimetri duke krijuar efekt të dritëhijes, si dhe porta dhe dritaret në përdhese me hark gjysmë-rrethor, të punuar nga gurë të gdhendur me ngjyrë të bardhë, kaltër dhe të verdhë.
Muret në përdhese janë ndërtuara nga gurë të gdhendur në formë drejtkëndëshi, të vendosura në mënyrë të rregullt duke krijuar brezat horizontale. Muret në kat kryesisht janë ndërtuar nga tullat e argjilës të lidhur me llaç gëlqeror. Në fasadën veriore, një pjesë e murit në kat është nga guri, sikurse në përdhese. Ky fakt na shtyn të supozojmë se kulla në fillim duhet të jetë ndërtuar tërësisht nga guri, kurse kati duhet të jetë rindërtuar më vonë me tulla argjile.
Kulmi është katër-ujor, fillimisht i mbuluar me rrasa guri, kurse gjatë mesit të shek. XX është mbuluar me tjegulla nga argjila.
Në enterier të shtëpisë janë ruajtur elementet origjinale tradicionale, të cilat karakterizohen me një nivel të lartë të drugdhendjes. Nga elementet në enterier vlen të theksohen: dyert e vjetra nga druri të dekoruara me forma gjeometrike, tavanet nga druri të punuara në stilin “shishe tavan”, kapakët e dollapëve të vendosur në mur dhe dritaret dyshe me kornizë druri dhe grila metalike kah ana e brendshme.
Në pjesën jugore të shtëpisë shtrihet oborri i rrethuar me mur, që e ndanë hapësirën e shtëpisë nga rruga kah ana juglindore. Në oborr janë ndërtuar ndërtesa të reja për të plotësuar nevojat e pronarëve, duke e ngufatur pamjen e kësaj kulle-shtëpie.
Pozita e vendosjes së kullës, fasada ballore e theksuar, materialet dhe teknika e ndërtimit, enterieri i dekoruar me elemente të drugdhendjes, krijojnë karakteristikat kryesore të kësaj kulle-shtëpie.

Teqeja e tarikatit Melami gjendet në pjesën perëndimore të qendrës së vjetër të Rahovecit.
Kjo teqe është themeluar nga Sheh Abdyl Maliq Efendi Hilmiu në vitin 1887, ndërsa pasuesit e tij ishin Sheh Emin Efendi Durguti dhe Sheh Sulemjan Efendi Kollari.
Teqeja gjatë historisë së saj, krahas funksionit të predikimit të fesë, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm edhe në arsimimin dhe edukimin e të rinjve në gjuhën shqipe. Sheh Maliqi i quajtur në popull si Sheh Mala ka qenë njëri prej personaliteteve më të shquara të historisë së kulturës dhe arsimimit në Rahovec. Ai pas vetes ka lënë dorëshkrime të divanit – poezive të shkruara në gjuhën shqipe, me alfabetin arab dhe disa përkthime të librave të vjetra fetare nga gjuha arabe në gjuhën shqipe.
Kompleksi i teqesë përbëhet nga oborri, ndërtesa e teqesë dhe tyrbja. Teqeja ka planimetri drejtkëndore, të mbuluar me kulm katër-ujor me tjegulla argjile. Në pjesën ballore gjendet hajati – portiku gjysmë i hapur, prej nga pason qasja për në dhomën e oxhakut dhe semahanja – dhoma e lutjeve, në anën jugore të saj.
Në enterier të semahanes, në murin juglindor, është i vendosur mihrabi, me planimetri gjysmë-rrethore, i cili në pjesën e sipërme përfundon në trajtë të piramidës së shkallëzuar. Në semahane janë ruajtur dokumentet e vjetra që prezantojnë gjenealogjinë e zhvillimit të tarikatit Melami në Rahovec, disa vegla të vjetra, si dhe divanet – vjershat e shkruara nga Sheh Mala, në gjuhën shqipe me alfabetin arab.
Pranë teqesë, në këndin jugor, gjendet tyrbja gjithashtu me planimetri drejtkëndëshe, ku është i varrosur themeluesi i teqesë Sheh Mala.
Ndërtesa e vjetër e teqesë, e ndërtuar në vitin 1887, ka pasur bodrum, përdhese dhe kat, dhe ishte e ndërtuar nga tullat prej dheu – qerpiçi, kurse kulmi katër-ujor ka qenë i mbuluar me rrasa guri.
Në vitin 1974 rrënohet teqeja e vjetër, kurse ndërtesa e re ndërtohet mbi themelet e asaj ekzistuese.
Muret janë ndërtuar në përdhese, me tulla të plota argjile, kurse kulmi katër-ujor mbulohet me tjegulla argjile.
Pamja aktuale e teqesë nuk ruan karakteristikat e arkitekturës vendore të Rahovecit.
Pas vdekjes së Sheh Sylejman Efendi Kollarit në vitet ’90 të shek. XX teqeja ka mbetur pa udhëheqës shpirtëror dhe veprimtaria e saj është duke u shuar.

Kroi i gurit, ndryshe i quajtur edhe si Kroi i sheshit të Republikës II, gjendet në Sheshin e Republikës, në qendrën e vjetër të qytetit të Rahovecit. Është ndërtuar në shek. XVIII. Kroi prej kohës së ndërtimit e deri më sot shërben si krua publik, për furnizimin e banorëve dhe kalimtarëve me ujë të pijshëm. Uji deri në krua vjen me rënie të lirë nga burimi Zhdrella. Kroi i takon tipit të krojeve të mbështetura të cilët janë ndërtuar kryesisht në kënde të rrugëve. Ka një trajtim të thjeshtë dekorativ. Përbëhet prej dy pjesëve, ballores dhe vaskës. Ballorja ka planimetri drejtkëndore, dhe është punuar nga gurët e gdhendur në formë drejtkëndëshi të lidhur me llaç gëlqeror. Pjesa e sipërme e ballores përfundon në formë të timpanorit dhe mbulohet me një kulm dy ujor të formësuar nga rrasa gurësh. Në mes të timpanorit është gdhendur një gur në formë katrore, ku paraqitet një shkrim osman. Në dy anët e kroit gjenden dy nisha për vendosjen e sapunit dhe rekuizitave tjera. Vaska ka planimetri jo të rregullt në formë katërkëndëshi, e punuar nga guri gëlqeror monolit. Mbishkrimi i cili gjendet në anën ballore të murit, është i shkruar në gur gëlqeror me stilin “kufi”. Prej kohës kur është ndërtuar e deri më tani, kroi ka mbetur në vendin fillestar me disa adaptime të vogla, pjesa e sipërme është rrënuar, dhe planifikohet rindërtimi në bazë të analogjisë me krojet tjera publike. Ky krua me formën, përmasat, teknikën e ndërtimit dhe trajtimin artistik, paraqet një shembull të veçantë të krojeve publike të ndërtuara gjatë shek. XVIII-XIX në Rahovec.

Teqja e tarikatit Rifai është e shek XIX, së bashku me Tarikatin Kadiri janë ndër tarikatet e para dhe më të vjetra. Ka tyrbe dhe shumë elemente si dhe gjëra të rëndësishme, të cilat e dëshmojnë traditën dhe trashëgimin e këtij tempulli fetar. Ajo vazhdon të shërbejë për lutje dhe ceremoni fatare edhe sot e kësaj dite. Ka pasur punime dhe ripunime me dru dhe me gurë kualitativ, sidomos pas luftës çlirimtare, zgjerim të kompleksit si brenda ashtu edhe jashtë objektit me qëllim të krijimit të kushteve dhe hapësirës sa më të përshtatshme për besimtarët.

Një ndër objektet e trashëgimisë kulturore të periudhës osmane është (ishte) edhe xhamia e vjetër në fshatin Drenoc. Fatkeqësisht, kjo ndërtesë që ka arritur të përballojë kushtet atmosferike dhe luftërat e konflikteve të ndryshme nuk arriti të përballojë injorancën dhe vetëdijen e ultë të individëve të caktuar, që pa hamendje e rrënojnë të vetmin monument kulture që ka pasur fshati. Në vend të kësaj xhamie ata e ndërtojnë një të re pak metra më tutje (veri) duke i hapur rrugën një pjese të lagjes që gjendet në anën jugore të saj. E vetmja fatmirësi nga kjo fatkeqësi është mos-rrënimi i minares, pra mbeti një gjurmë nga ky monument disa shekullor. Xhamia e vjetër si i vetmi monument në këtë fshat rrënohet në vitin 2010, derisa minarja e vjetër ngelë në prapavijë (ballinë) të xhamisë së re.
Minarja e xhamisë është ndërtuar me gurë shpuzë dhe është ri-suvatuar në vitin 1958, duke u bazuar në një gravurë të bërë në trupin e saj. Pjesa e poshtme e galerisë (sherefesë) së minares është e zbukuruar me profilim modest, që është e zakonshme për xhamitë e lagjes. Çatia e minares (kylhani) nuk është origjinal dhe është rindërtuar më vonë. Pra, nga minarja ekzistuese origjinale është vetëm struktura ndërtimore, derisa suvaja dhe mbulesa janë të periudhës së vonshme.
Bazamenti i minares është gjashtëkëndësh ndërsa minarja në formë rrethore. Në sherefe arrihet me shkallët spirale.
Gjatë restaurimit të vitit 2012, bazamenti i minares është pastruar dhe është konservuar me llaç gëlqeror horosan. Gardhi mbrojtës i galerisë është riparuar duke rivendosur gurë shpuzë që mungonin dhe llaç gëlqeror si material lidhës. Konstruksioni i çatisë është rindërtuar tërësisht me material druri dhe është mbuluar me pllaka të plumbit. Në maje të saj është rivendosur dekor i ri (“alemi”) pasi ai ekzistuesi nuk ishte origjinal dhe ishte shumë i dëmtuar. Komplet minarja është suvatuar me llaç gëlqeror horosan në përjashtim të një pjese të saj rreh 1 m², duke lënë gjurmë për të treguar strukturën e muratimit. Pas restaurimit të vitit 2012 minarja sot është në gjendje të mirë.

Xhamia e Sokolit, e orientuar me fasadën ballore kah perëndimi gjendet në qytetin e Rahovecit, në rrugën Bekim Sylka afër sheshit Republika. Në afërsi të xhamisë gjenden: Kulla e Hajrrullah Çantës, kroi i vjetër në sheshin Republika, xhamia e Kasumit, Sahat kulla, shtëpitë të vjetra tradicionale etj.
Sipas banorëve të qytetit të Rahovecit, xhamia e Sokolit u ndërtua në fillim të shekullit XIX, në vitin 1824, para xhamisë së Kasumit nga Sylë Sokoli me përkrahje të banorëve vendas.
Nga aspekti arkitektonik, xhamia është ndërtuar në terren të pjerrët, me planimetri drejtkëndëshe, dhe përbëhet nga salla e lutjeve: në formë katërkëndëshe me përmasa 732×738 cm, lartësi 695 cm, si dhe nga hajati, i cili gjendet në kuadër të sallës së lutjeve dhe është i mbuluar me kulm të rrafshët. Hapësira e hajatit, me planimetri jo të rregullt, përmasa 739×205 cm, lartësi 351 cm, u ndërtua më vonë dhe shërben për hyrje në sallën e lutjeve (xhami) nga krahu anësor-perëndimor i xhamisë.
Në sallën e lutjeve gjendet Mihrabi, i futur në murin jugor të xhamisë, Mimberi dhe Kyrsy, i punuar prej druri. Në brendi të xhamisë gjegjësisht në kupolë gjenden pikturat murale me dekorime gjeometrike dhe florale. Minarja e xhamisë e vendosur në anën perëndimorë të xhamisë, ka planimetri shumëkëndëshe, me një sherefe dhe qasja mundësohet përmes hapjes në mur, e cila gjendet në një lartësi të caktuar nga nivel i sallës së lutjeve.
Në kuadër të oborrit të xhamisë gjenden këto objekte përcjellëse, si: çezmat për abdes, hapësira përcjellëse e xhamisë, nyjet sanitare dhe një ndërtesë – aneks e re P+1, në shërbim të xhamisë. Oborri i xhamisë është i shtruar me gurë të thyer.
Themelet të xhamisë supozohen të jenë prej material guri, ndërkaq muret të sallës së lutjeve, trashësi 60 cm, janë prej tullave të pjekura, të lidhur me llaç çimentoje. Minarja e xhamisë është e ndërtuar me gurë shpuzorë-siga, e suvatosur nga jashtë me llaç çimentoje dhe është meremetuar pas viteve 2000, si pasojë e dëmtimeve nga granatat, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999.
Kulmi i xhamisë është katër-ujorë, i mbuluar me tjegulla të rrafshëta, ndërsa mbulesa e minares është prej llamarine.
Pajisjet e paluajtshme: Mihrabi, i futur në murin jugor të xhamisë; Mimberi, i punuar prej druri; Kyrsy, i punuar prej druri; Piktura murale me dekorime gjeometrike dhe florale në kupollë;
Pajisjet e luajtshme: Orë e madhe prej druri; Tespihet;
Xhamia ka vlerë historike sepse gjatë viteve ’90 të shek. XX ka shërbyer si shkollë të mesme, për nxënësit të Komunës së Rahovecit; Gjatë demonstratave dhe protestave gjithëkombëtare ka shërbyer për tubime demonstruese dhe strehimin e tyre; Ndërkaq gjatë luftës së fundit në Kosovë në viteve 1998-99 ka shërbyer si depo të ushqimit, veshmbathjes, për furnizimin e luftëtarët të UÇK-së.
Xhamia, gjatë tërë kohës ka shërbyer dhe akoma shërben për veprimtari kulti islam për banorët e Rahovecit.

Xhamia gjendet në qendër të fshatit Zatriq, 12 km në veri të qytetit të Rahovecit. Bazuar në të dhënat është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVIII. Një pjesë e xhamisë është shfrytëzuar për lutje, kurse pjesa tjetër si mejtep – shkollë fillore.
Ndërtesa e xhamisë ka planimetri drejtkëndëshe dhe i takon tipit të xhamive të fshatit. Është e ndarë në dy pjesë, ku ana e djathtë shërben për lutje kurse ana e majtë si shkollë. Në anën e djathtë, në pjesën veri-perëndimore gjendet hajati me planimetri drejtkëndëshe. Hajati është i mbyllur, dhe mundëson qasjen në sallën e lutjes, dhe nëpërmjet shkallëve të drurit në mahvil – galerisë.
Salla e lutjes ka planimetri drejtkëndore të mbuluar me tavan të rrafshët, mbi të cilin gjendet kulmi katër ujor i mbuluar me tjegulla. Qasja në sallën e lutjes bëhet nëpërmjet hajatit.
Në enterierin e sallës së lutjes janë ruajtur elementet origjinale, mihrabi, mimberi, gardhi i mahvilit dhe tavani të cilët janë punuar me teknikë tradicionale të ndërtimit.
Shkolla (mejtepi) – gjendet në anën verilindore të sallës së lutjes dhe është e ndarë në përdhese dhe kat.
Minarja gjendet në murin perëndimor të xhamisë, ka bazë gjashtë këndore me lartësi rreth 3 metra, dhe ngushtohet duke formuar bazën rrethore deri në maje. Minarja është ndërtuar nga gurët e thyer vendor. Ka një lartësi mesatare, mbulohet me kulmin në formë koni nga llamarina, dhe karakterizohet me sherefenë – ballkonin rrethor, me dekorim dhëmbëzor në pjesën e poshtme.
Xhamia së bashku me mejtepin kanë luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin e vendasve si dhe në jetën shoqërore të fshatit.

Shtëpia e familjes Spasiç gjendet në qendër të fshatit Hoçë e Madhe, rreth 5 km në lindje të Rahovecit. Shtëpia është ndërtuar nga Sima dhe Spasa Nedeljkoviç gjatë viteve 1830-1835, të cilët pas ndërtimit të shtëpisë kanë shkuar në pelegrinazh në Jerusalem. Prej kohës kur është ndërtuar e deri më sot, shtëpia ka mbetur në pronësi të së njëjtës familje duke u shfrytëzuar për banim. Ndërtesa ka planimetri drejtkëndëshe, e ndërtuar në përdhese dhe kat. Përdhesa përmban hajatin, një dhomë, kuzhinën dhe banjën. Qasja në kat bëhet nëpërmjet shkallëve të drurit nga hajati. Kati përmban çardakun, i cili luan edhe rolin e parahyrëses në dy dhoma dhe banjë. Fasada anësore e kufizon kompleksin e shtëpisë me rrugën në anën lindore. Element karakteristik në këtë fasadë është konzolla, e cila del nga perimetri i katit, duke krijuar efekt të dritëhijes në sipërfaqen lineare. Fasada ballore është e orientuar kah jugu dhe ka pamje kah oborri. Elementet karakteristike në këtë fasadë janë tri dritare të vendosura në varg, dhe çardaku në këndin juglindor, i kufizuar me gardh druri. Muret në përdhese janë ndërtuar nga gurë vendorë të lidhura me llaç gëlqeror, kurse në kat nga qerpiçi të përforcuar me trarë druri në sistemin “bondruk”. Kulmi është katër-ujor, i mbuluar me tjegulla nga argjila. Në enterier të shtëpisë janë ruajtur elementet origjinale që karakterizohen me një nivel të lartë të drugdhendjes. Nga elementet në enterier vlejnë të theksohen shtyllat e drurit me kapitel të dekoruara në forma harkore, kapakët e dyerve të dekoruara me motive gjeometrike, “shishe tavanet”, qymlekllëku – oxhaku dhe ikonostasi me ikonën familjare e sjellë nga Jerusalemi, së bashku me reliktet familjare. Në pjesën jugore të shtëpisë shtrihet oborri i rrethuar me mur, që e ndanë hapësirën e shtëpisë nga rruga kah ana juglindore. Oborri është shtruar me gurë lumi– kalldrëm, ku krahas shtëpisë gjenden dy hapësira ekonomike dhe pjesa për vendosjen e drurëve. Në vitin 2010 është shndërruar në shtëpi-bujtinë me shërbimin për fjetje dhe mëngjes.

Xhamia gjendet në qendër të fshatit Xërxë, 10 km në jugperëndim të Rahovecit. Në bazë të mbishkrimit në hyrje, është ndërtuar nga Hysein Spahiu në vitin 1900. Që nga koha kur është ndërtuar e deri më tani ka kryer funksionin fetar si xhami e fshatit.
Kompleksi i xhamisë përbëhet nga oborri që rrethohet nga muri rrethues, që e kufizon kompleksin nga rruga kah ana veriore dhe lindore, ndërtesa e xhamisë dhe ndërtesa e shfrytëzuar si sallë e takimit për banorët e lagjes në jugperëndim të oborrit.
Ndërtesa e xhamisë ka dimensione modeste dhe i takon tipit të xhamive të fshatit. Në pjesën veriperëndimore gjendet hajati me planimetri drejtkëndëshe. Hajati fillimisht ka qenë i ndërtuar në përdhese të lartë, kurse gjatë vitit 2004 është ndarë me konstruksion mes-katesh, duke e krijuar katin që shërben si sallë e zgjeruar e mahvilit – galerisë. Qasja në galeri bëhet nga shkallët e jashtme të vendosura në anën perëndimore.
Salla e lutjes ka planimetri drejtkëndore e mbuluar me tavan të rrafshët, mbi të cilin gjendet kulmi katër-ujor i mbuluar me tjegulla. Qasja në sallën e lutjes bëhet nëpërmjet hajatit. Në enterierin e sallës së lutjes nuk janë ruajtur elementet origjinale. Mimberi, gardhi i mahvilit dhe tavani janë punuar të reja nga druri.
Minarja gjendet në murin perëndimor të xhamisë, ka bazë katërkëndëshe në lartësi deri në një metër, dhe ngushtohet duke formuar bazën rrethore deri në maje. Minarja është ndërtuar nga gurët e thyer vendorë. Ka një lartësi të vogël, mbulohet me kulmin në formë koni nga llamarina dhe karakterizohet me sherefenë – ballkonin rrethor.
Ndërhyrjet joprofesionale të realizuara ndër vite kanë reduktuar vlerat origjinale të kësaj xhamie.

Tyrbja e Dervish Avdiut dhe Ahmatit, e orientuar me fasadën ballore kah verilindja, gjendet brenda hapësirës së varrezave të fshatit Pataçan i Ulët, Komuna e Rahovecit. Në afërsi të tyrbes gjenden varrezat e fshatit, shtëpitë përreth për banim dhe shkolla fillore e fshatit. Sipas të dhënave gojore tyrbja për herë të parë u themelua para më shumë se 200 viteve, ku më vonë, më konkretisht rreth viteve 85’ të shek. XX u rindërtua përsëri me material të kohës mbi muret ekzistuese.
Sot tyrbja është në gjendje të mirë, por rrallë vizitohet nga fshatarët. Nga aspekti arkitektonik tyrbja me planimetri katrore është ndërtuar në terren me pjerrtësi të ulët. Është ndërtesë përdhese me përmasa 600×560 cm, lartësi 216 cm dhe është e ndërtuar mbi mure të tyrbes së hershme prej materiali gur vendor dhe mureve ekzistuese i ndërtuar me mure prej materiali të kohës, blloqe betoni të lidhur me llaç çimentoje, trashësi 30 cm. Muret e brendshme dhe të jashtme të tyrbes janë të suvatosura me llaç vazhdues – çimentoje, ngjyrë të bardhë. Në brendi të tyrbes gjenden dy varre të pjesëtarëve të radhës Halveti, varri i dervish Avdiut dhe varri i dervish Ahmatit, ku janë të mbuluar me dërrasa dhe sipër me mbulesa dhe peshqir. Dyshemeja në brendi të tyrbes është e shtruar me pllaka qeramike. Dera dhe dritaret janë prej druri në formë harkore. Gjithsej gjenden dy hapje të dritareve prej druri, të mbyllura nga jashtë me grila hekuri. Njëra gjendet në fasadën ballore, pranë derës hyrëse dhe tjetra gjendet në fasadën anësore dhe ka një hapje të vogël ku besimtarët hedhin të holla. Ndërkaq kulmi është katër ujor, i mbuluar me tjegulla të rrafshëta.
Qasja në tyrbe mundësohet nga muri verilindor përmes derës hyrëse prej druri. Në kuadër të tyrbes gjendet oborri me varret, këndi për pushim (ulëset prej druri), lisi shumëvjeçar bungu dhe një çezmë e re. Oborri rrethohet me një mur të ulët me rrethoja hekuri dekorativ dhe është i shtruar me pllaka guri. Tyrben e vizitojnë personat e sëmurë dhe besimtarët e tjerë të cilët sjellin qirinj, peshqir, harama, të holla etj. Tyrbja vizitohet për Shën Gjergj, me 5 maj më së shumti nga banorët e rajonit të Rahovecit.

Lokaliteti ndodhet në vendin e quajtur ”Pozhig” në fshatin Bellacërkë (Fortesë). Përfshinë hapësirën mes shkollës së fshatit dhe shtëpive të cilat ndodhen përballë saj nga ana perëndimore, si dhe hapësirën para zyrës së vendit, mes rrugës dhe lëndinës mbi fshatin e quajtur Listenoll. Në dekadën e parë të viteve 60-ta të shek. XX në këtë lokalitet janë zhvilluar gërmimet arkeologjike të cilët kanë rezultuar me zbulimin e një vendbanimi të periudhës romake dhe me materialin që i përket shek. I-IV. Sot mbi këtë lokalitet është ndërtuar rruga e fshatit dhe kanali për ujëra të zeza.
Gjithashtu në fshatin Bellacërkë kemi edhe vende tjera ku janë gjetur gjurmë të themeleve dhe qeramikë tipike të periudhës romake. Në vendin me toponimin “brinjë” janë gjetur themele muresh dhe gjetje qeramike. Ky vend në perëndim të fshatit është një shpat i butë kodre me sipërfaqe 2-3 ha. Aty janë gjetur shumë fragmente qeramike, si tasa, kupa, vorba, enë tipike të periudhës romake të vonë – terrasigilata etj. Po ashtu në vendet e quajtura si “pakidol” dhe në toponimin “Kodra e Zekës” janë hasur në fragmente qeramike romake. Gjithë fshati duket që ka qenë i banuar në periudhën romake e pastaj ka vazhduar edhe në periudhat e mëvonshme.

Kulla e Mahmut Pashës gjendet në qendër të fshatit Opterushë, 8 km në lindje të Rahovecit. Në popull njihet si kulla e Mahmut Pashës dhe supozohet se është ndërtuar në shek. XIX nga Mahmut Pashë Rrotulli, i cili e ka ndërtuar edhe Sahat Kullën në Rahovec, dhe monumente të tjera në Prizren, Mamushë dhe Budakovë. Kulla i ka veçoritë karakteristike të kullave që janë ndërtuar gjatë shek. XIX në Rrafshin e Dukagjinit dhe kanë shërbyer si hapësirë për banim, shoqërim, vrojtim dhe mbrojtje. Ka planimetri me brinjë 6 metra. Është e ndërtuar në përdhese dhe dy kate. Përdhesa ka shërbyer si ambient ekonomik, si ahër i bagëtive të mysafirëve. Kati i parë është shfrytëzuar për akomodimin e mysafirëve dhe takime të ndryshme, ndërsa kati i dytë ka shërbyer për vrojtim të gjendjes jashtë kullës. Kulla në fillim supozohet të ketë pasur edhe qoshkun, i cili gjatë transformimeve ndërkohë është shkatërruar. Muret janë ndërtuar me trashësi 80 cm, nga gurë vendor, të formave të parregullta të lidhur me llaç gëlqeror. Kulmi është punuar nga konstruksioni i drurit, katër ujor, i mbuluar me rrasa guri – mbulesë karakteristike e kulmeve të rajonit të Rahovecit. Prej kohës kur është ndërtuar e deri më sot, kulla ka pësuar ndryshime të shumta. Gjatë shek. XIX kulla ka pasur funksion administrativ dhe ka shërbyer si ndërtesë komunale, nga e cila janë menaxhuar disa fshatra përreth saj. Më vonë, gjatë periudhës jugosllave, është shfrytëzuar për çështje politike. Në fazën e fundit i është dhënë në shfrytëzim një fshatari vendas, i cili e ka adaptuar kullën për shfrytëzim, si mulli. Gjatë vitit 1999 kulla ka pësuar dëmtime serioze, që kanë shkaktuar rrënimin e strukturës së kulmit, konstruksionit meskatësh dhe pjesës dërmuese të strukturës së mureve. Ndërhyrjet restauruese të vitit 2014 kanë ndikuar në konsolidimin e strukturës së kullës, duke i rikthyer vlerat këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të rajonit të Rahovecit.

Shtëpia Muze “Ukshin Hoti” gjendet në largësi rreth 770m në të djathtë (lindore) të rrugës magjistrale Prizren-Gjakovë në fshatin Krushë e Madhe, Komuna e Rahovecit.
Shtëpia ka qenë e ndërtuar në vitin 1987 me arkitekturë rurale të kohës. Ka formë të germës “L” e ngritur nga niveli i tokës për 60 cm ku në qendër është holli hyrës me banjën dhe anash janë nga një dhomë. Objekti ka qenë e ndërtuar me mure mbajtëse prej blloqeve të argjilës dhe llaç vazhdues si material lidhës. Shtyllat kanë qenë prej betoni të armuar ndërsa pllaka është ndërtuar me sistemin gjysmë montazh “fert”. Gjatë luftës së fundit (1999) ndërtesa është djegur në tërësi, ndërsa është rindërtuar dhe adaptuar në vitin 2013.
Rindërtimi dhe adaptimi i ndërtesës për muze është bërë nga Komuna e Rahovecit duke ruajtur formën, madhësinë, volumin dhe arkitekturën origjinale që ka pasur para vitit 1999. Gjatë rindërtimit të shtëpisë një pjesë e saj është ruajtur në gjendjen e dëmtuar nga lufta e vitit 1999 dhe ajo tanimë është pjesë e historisë së familjes Hoti. Kështu nga viti 2013 shtëpia funksionon si muze ku prezantohen materialet dhe gjësendet e ndryshme që lidhen me personalitetin e Ukshin Hotit. Pjesë e muzeut është edhe pjesa origjinale e shtëpisë së dëmtuar gjatë luftës së vitit 1999. Rindërtimi i shtëpisë është bërë me materiale të ngjashme ndërtimore, respektivisht me blloqe të argjilës (muret) dhe beton i armuar (themelet, shtyllat dhe trarët). Është suvatosur me llaç gëlqeror vazhdues nga brenda dhe jashtë ndërsa dyshemetë janë shtruar me laminat përveç banjës që është me pllaka të qeramikës. Pjesa origjinale e shtëpisë që gjendet në anën lindore është ruajtur në gjendje ashtu të dëmtuar ku shihen blloqet e thyera, suvaja e dëmtuar dhe dyshemeja prej dërrasave.
Shtëpia muze e Ukshin Hotit përmban vlera të rëndësishme historike dhe shoqërore për popullin shqiptar në përgjithësi dhe për shtetin e Kosovës në veçanti. Duke pasur parasysh personalitetin e Ukshin Hotit si figurë e rëndësishme të historisë së re të Kosovës, atëherë është me interes nacional të bëhet prezantimi i gjithëmbarshëm i veprimtarisë së tij, kushtet dhe rrethanat ku ka jetuar dhe vepruar si dhe objektet e artefaktet që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me personalitetin e tij.
Shtëpia-muze “Ukshin Hoti”, me dy ndërtesa njëkatëshe të adaptuara me hapësira ekspozuese dhe oborrin prej 40 ari, përbën qendrën historike të kujtesës kolektive dhe të sakrificës njerëzore për liri e të drejta kombëtare. Kjo qendër mbartë vlera universale historike dhe shoqërore dhe cilësohet trashëgimi kulturore me rëndësi kombëtare, dhe që duhet ruajtur, mbrojtur e kultivuar nga brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Në enterier janë vendosur disa vitrina dhe rafte si dhe fotografi të varura në mure ku prezantohet jeta dhe veprimtaria e Ukshin Hotit. Shndërrimi i shtëpisë në muze ka disa mangësi që duhej korrigjuar ose ri-konceptuar organizimin dhe prezantimin e eksponateve dhe ambientit si tërësi.
Muzeu ka një oborr mjaft të madh ku një pjesë e saj është shtruar me pllaka të betonit ndërsa para ndërtesës gjendet busti i Ukshin Hotit.

Kulla e familjes Berisha gjendet në fshatin Kramovik të Komunës së Rahovecit. Kulla paraqet një shembull të rrallë të ndërtimit të kullës me materiale të kombinuara. Përdhesa është ndërtuar nga gurë, kurse kati nga tulla të qerpiçit të përforcuar me hatulla nga druri.
Ka planimetri drejtkëndore, të ndërtuar në përdhese dhe kat. Fasada ballore veçohet me dyshekllëkun, i cili del në trajtë konzolle, ku gjenden katër dritare me hapje gjysmë-rrethore. Në këndet e fasadës ballore gjenden gjithashtu dekorimet në formë rrethore, të punuar nga qerpiçi. Kulmi i kullës është katër ujor me konstruksion druri, fillimisht ishte i mbuluar me rrasa guri, tipike për këtë pjesë të Kosovës, pastaj me kohë, rrasat u zëvendësuan me tjegulla argjile.
Organizimi i brendshëm i kullës supozohet të ketë qenë i zakonshëm për kulla të tilla, përdhesa është përdorur për bagëti dhe ambiente ekonomike ose magazine, kurse kati i kullës për banim. Në enterier nuk kemi ndonjë pjesë të ruajtur për arsye të gjendjes së objektit.
Kulla është në gjendje të rëndë fizike ku një pjesë e konsiderueshme e strukturës është e rrënuar. Nën mëshirën e kohës dhe pa kujdesin e nevojshëm, kulla do të kolapsoj nëse shumë shpejtë nuk intervenohet për ta shpëtuar këtë perlë arkitekturore të fshatit, komunës dhe rajonit.
Shembuj të arkitekturës tradicionale të banimit të shekujve XVIII dhe XIX na paraqiten si kategori e rrezikuar, sidomos në zonat më të largëta rurale. Duke marrë parasysh këtë fakt, ruajtja e shembujve të mbetur të arkitekturës së banimit tradicional është me rëndësi të madhe për trashëgiminë tonë kulturore.

Në fshatin Pastasellë, i cili gjendet 9 km në veriperëndim të Rahovecit, gjendej xhamia e vjetër e cila supozohet të ishte ndërtuar para shek. XIX.
Në vitin 1976, mbi themelet e xhamisë së vjetër është ndërtuar një xhami e re. Nga xhamia e vjetër ka mbetur vetëm baza e minares deri në një lartësi rreth 1 metër.
Gjatë luftës së fundit (1998-1999) kjo xhami është demoluar nga brenda, demolim i cili nuk mundi të riparohet asnjëherë, dhe kështu në vitin 2011 është rrënuar xhamia përsëro, për tu ndërtuar një xhami e re po në atë vend ku ishte kjo e fundit.
Xhamia e re është ndërtuar me përmasa më të mëdha, me përdorim të materialeve moderne të ndërtimit. Xhamia e re ka planimetri drejtkëndëshe, dhe përbëhet nga hajati i mbyllur, i ndarë në dy etazhe, salla e lutjes e mbuluar me kupolë dhe minarja me një lartësi të madhe, e dekoruar me dy sherefe dhe kulmin. Në ndërtimin e ri, ndoshta edhe nga donatorët apo nga ndikimi i arkitekturës së huaj, vërehet ndikimi i stilit Arab në arkitekturën e xhamisë.
Nga xhamia e vjetër kanë mbetur vetëm bazamenti i minares dhe mbishkrimi i renovimit të bërë gjatë mesit të parë të shek. XIX.
Bazamenti i minares është ndërtuar me gurë shpuzor të gdhendur për qëllim të veçantë për ndërtime të tilla, kurse lidhja e tyre është bërë me llaç gëlqeror.
Mbishkrimi është shkruar në mermer të bardhë, në gjuhën e vjetër Osmane, në stilin e shkrimit “Sylys”, dhe është i dekoruar me dekorime në formë florale dhe gjeometrike.

Mulliri i familjes Isaku (Vuçitërna) gjendet pranë qytetit të Rahovecit, rreth 700 m larg rrugës kryesore Rahovec-Malishevë. Është i ndërtuar në mes të një livadhi pranë të cilit kalon lumi dhe është i vendosur në parcelë jo të rregullt në terren të pjerrët.
Koha e ndërtimit të mullirit nuk dihet saktë por supozohet se është e ndërtuar në fund të shek. XIX. Që nga koha e ndërtimit e deri në vitin 1990, mulliri ka kryer funksionin e tij primar, ndërsa në ditët e sotme ai është jo funksional.
Ka planimetri drejtkëndëshe, i ndërtuar në përdhese në hapësirë të vetme për bluarjen e miellit, por si pasojë e nevojave të pronarit është bërë ndarja e tij në dy pjesë, me blloqe argjile. Muret janë të ndërtuar prej gurëve të ndryshëm lumor të lidhur me llaç balte dhe të përforcuara me hatulla druri. Mulliri në muret periferike të tij është e fuguar me llaç gëlqeror, ndërsa një pjesë e mureve të brendshme është e suvatuar me llaç gëlqeror.
Konstruksioni i kulmit është katër ujor i punuar me trarë druri të mbuluar me pllaka guri vendore (rrasa).
Lidhja e ambientit të jashtëm me atë të brendshëm mundësohet nga dy porta, të hapura në pjesën lindore të ndërtesës. Hapja harkore, ajo burimore gjendet në pjesën e djathtë të ndërtesës, ndërsa hapja tjetër paraqitet si pasojë e qasjes në hapësirën e ndarë më vonë.
Në enterier, mulliri ka dy hapësira ku gjenden pajisjet e luajtshme, në të janë ruajtur disa elemente origjinale të cilët nevojiten për funksionimin e tij. Pajisjet për bluarje janë në gjendje jo funksionale.
Mulliri paraqet një ndërtesë ekonomike dhe dëshmi materiale të mënyrës së përpunimit të miellit gjatë shek. XIX. Njëkohësisht ndërlidhet me shërbimin që ka ofruar kjo ndërtesë për bluarje të miellit, për popullsinë. Në aspektin etnologjik kjo zeje e bluarjes së miellit në mënyrë tradicionale, është në zhdukje e sipër, prandaj ruajtja dhe kultivimi i saj kanë rëndësi të madhe.
Mulliri i familjes Isaku – Vuçitërna, duke u bazuar në vlerësim të dëmtimeve është në gjendje mesatarisht të mirë fizike.

Fshati Hoçë e Madhe shtrihet në pjesën jugore të qytetit të Rahovecit, kurse afërsisht 20 km në perëndim të Prizrenit. Fshati ka një popullsi rreth 700 banorë, kryesisht të komunitetit serb. Posedon klimë kontinentale me ndikime mesdhetare ku temperaturat vjetore arrijnë prej -20o deri në 40oC. Kjo përzierje klimash është shumë e favorshme për zhvillimin e vreshtarisë, me rryma të ngrohta të ajrit që vijnë nga lugina e lumit Drini i Bardhë, e cila është e dobishme edhe për bujqësinë. Pozita e favorshme gjeografike dhe burimet e pasura natyrore kanë ndikuar që ky vendbanim të jetë i favorshëm, atraktiv dhe i banueshëm. Sipas disa autoreve fshati ishte i banuar që nga koha e periudhës Romake dhe se popullsia vendore merrej me vreshtari dhe bujqësi.
Dokumentet e para te shkruara datojnë nga periudha e mesjetës së zhvilluar. Mendohet se gjatë kësaj periudhe Hoça e Madhe u bë qendër e vogël tregtare, prodhuese dhe kulturore. U zhvilluan disa zeje, si dhe prodhimi i verës dhe bujqësia luajtën një rol te rëndësishëm. Prandaj për këtë arsye, fshati ka trashëguar një koleksion të pasur të objekteve me interes historik, kulturor e shpirtëror.
Hoça e Madhe ka arkitekturë që përbëhet nga objekte fetare dhe popullore. Nga periudha e krijimit te këtij fshati kanë mbetur disa kisha dhe faltore, fshati ka 13 kisha të ndërtuara në shekujt XII, XIV e XVI dhe shumë objekte, shtëpi banimi tradicionale dhe mullinj me ujë. Dy llojet kryesore të vendbanimeve popullore që dominojnë në Kosovë ose në Hoçë të Madhe janë shtëpia e gurit dhe shtëpia e llojit-oriental. Fshati Hoçë e Madhe është i mbrojtur me ligj (LIGJI NR. 04/L-62 PËR FSHATIN HOÇË E MADHE) dhe është zonë e veçantë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Lokaliteti arkeologjik i quajtur Maqine, ndodhet në anën veriperëndimore të qytetit të Rahovecit. Ky lokaliteti shtrihet në te dy anët e përroskës, por koncentrimi me i madh është ne anën e majtë të përroskës që rrjedh me drejtim lindje-perëndim, në arat private. Lokaliteti shtrihet ne një terren te pjerrët fushor ne drejtim te perëndimit dhe ka një sipërfaqe rreth 3 ha. Gjatë përnjohjes të terrenit është arritur të mblidhet material arkeologjik i periudhave të ndryshme duke filluar nga neoliti i hershëm, eneoliti i vonë, periudha e bronzit, hekurit si dhe periudha klasike romake. Ky lokalitet arkeologjik është i një rëndësie të veçantë për vet faktin që ruan në vetvete depozitime të ndryshme të disa periudhave prehistorike dhe antike.

Gjurmët e vendbanimit neolitik të Opterushës janë evidentuar në regjistrin e aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës në vitet e para të pasluftës, dhe vendbanimi ende nuk është analizuar, shqyrtuar dhe trajtuar.

Rrënojat e vendbanimit të ngritur e të fortifikuar që nga Periudha e Hekurit e me intensitet të madh banimi posaçërisht gjatë Antikitetit të Vonë e Mesjetës së hershme të “Gradishtës” së Zatriqit, ndodhen në majën e kodrës së Zatriqit, me kuotë maksimale prej 1039 metra mbi nivelin e detit. Vendbanimi i fortifikuar është i vendosur në një tarracë në formë trekëndëshi. Nga maja e kodrës shihet mjaft mirë vargmali që ndan Rrafshin e Kosovës me Rrafshin e Dukagjinit. Nga fortesa e Zatriqit vështrimi është i hapur drejt zonave të Llapushës, Klinës, Istogut e Pejës. Nga jugu shihen gjithashtu fushat e Rahovecit, Gjakovës e Prizrenit.

Ky “qytet fortesë” e tipit të vendbanimeve shumështresore, është ngritur në një linjë perimetrike që ndjek izoipset e terrenit duke shfrytëzuar dhe mbrojtjen natyrore që ishte integruar natyrshëm në sistemin mbrojtës të saj. Muret e fortesës dallohen me vështirësi mbi sipërfaqe, gjë që nuk lejon përcaktimin e përmasave të tyre, megjithatë në disa vende është arritur të konstatohen elemente teknike të murit rrethues. Muret ishin të punuara me gurë mesatar të lidhur me llaç gëlqeror. Kjo teknikë e murimit është përdorur në gjithë muret rrethuese që sot vështirë është të dallohen mbi tokë.
Fortifikimi ka një sipërfaqe afërsisht 0.2 ha, ku poshtë tij ka edhe një tarracë të dytë në formë trekëndëshi, ku dikur vëreheshin edhe gjurmët e banesave. Në të gjithë sipërfaqen e fortifikuar, si edhe në “Arat e Gradishtës”, që gjenden të tarracuara pranë fortesës, janë dokumentuar fragmente enësh prej argjilës së pjekur, të periudhave të ndryshme si: Hekurit, Helenistike, Antike të Vonë e Mesjetare.
Megjithatë, e veçanta e këtij lokaliteti arkeologjik me karakter fortifikues qëndron në faktin e identifikimit nga specialist Italian të Artit Shkëmbor të periudhave parahistorike, këto të pasqyruara në shenja dhe simbole që supozohet të jenë krijuar nga dora e njeriut shtatë mileniume më parë.

Gërmadhat e kishës së Shën Llukës në një ndër varret e vjetra në qendër të fshatit Hoqë e Madhe. Nga objekti kanë mbetur vetëm muret anësore, muri verior dhe muri jugor. Megjithatë në muret e mbetura vërehen dy faza të ndërtimit, si edhe mbetjet e dy shtresave të pikturës murale. Sipas fragmenteve të pikturave murale mund të konstatohet se kisha është ndërtuar në shek XIV, kurse ndërtimi i fazës së dytë është bërë në fund të shek. XVI.

Nekropoli tumular i fshatit Kramovik shtrihet në pjesën lindore sipër fshatit, në një tarracë shkëmbore që nga banorët njihet si “Boka e Kramovikut”. Deri më tani është evidentuar vetëm një tumë me përmasave 32 m lindje perëndim dhe 25 m veri jug. Ndërsa lartësia e tumës shkon deri në 1.8 m. Ajo është ndërtuar kryesisht me gurë dhe me pak dhe. Tuma ka formë eliptike. Terreni ku shtrihet nekropoli në shumë pjesë është formacion shkëmbor dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe tuma tjera ose tuma të shkatërruara, për vet faktin se në jug lindje të tumës së evidentuar është marrë një sasi e konsiderueshme e materialit guror të terrenit.

Nekropoli tumular, ndodhet në pjesën verilindore të fshatit Pastasel, gjegjësisht mbi një kodër shkëmbore të sheshtë, që nga banorët vendas njihet si “Fusha e Breshkave”. Pozicioni ku shtrihet nekropoli tumular është mjaft i veçantë dhe ka një dominim te jashtëzakonshëm mbi tërë territorin fushor të zonës jug-perëndimore. Gjatë përnjohjes u arrit që të evidentohen tri tuma të përmasave të ndryshme, por më qenë se terreni në disa pjesë është i mbuluar me shkurre dhe lisa, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe tuma të tjera. Ato janë të ndërtuara kryesisht me pak dhe, dhe shumë gurë terreni me ngjyrë të mbyllët gri. Tumat kanë formë në trajtë gjysmë sferike me përmasa që variojnë nga 16-18 m dhe me lartësi 0.6-deri në 1.5 m. Bazuar në informacionet e mbledhura në zonë, mendojmë se ky nekropol i takon periudhës së bronzit, por që mund të jetë ripërdorur edhe gjatë periudhës së hekurit. Ky supozim vjen edhe për vet faktin se rreth 150 m në lindje të nekropolit, u evidentua edhe vendbanimi kodrinor, ku ruhej një linje ledhi prehistorik, që është karakteristikë e periudhës së bronzit.

Vendbanimi i neolitit të hershëm i fshatit Pastasel ndodhet në jugperëndim të fshatit dhe nga banorët vendas njihet me emrin “Arat e Demës”. Vendbanimi ndodhet ne anën e djathtë, buzë përroskës së fshatit, në një terren fushor të pjerrtë në drejtim të lindjes . Duhet thënë se sipër këtij vendbanimi pothuajse në një sipërfaqe rreth 20 ha është evidentuar një vendbanim i periudhës romake shumë i shpërndarë.
Gjatë përnjohjes të terrenit në shoqëri të Mejdi Krasniqit i cili deklaroi se përpos shumë tjegullave dhe tullave të ndryshme të periudhës romake, kishte gjetur edhe një sëpatë guri.
Gjatë përnjohjes u arrit të mblidhen fragmente të ndryshme qeramike mesatare dhe trashanike të neolitit të hershem. Përfaqësimi në këtë vendbanim i qeramikës impresso dhe monokrome të kuqe na bën të mendojmë se kemi të bëjmë me një vendbanim më të hershëm të neolitit të hershëm.

Nga vrojtimet e kryera në vitet 2001-2002 u konstatuan gjurmët e një monumenti religjioz, i njohur nga vendasit me toponimin “Bregu i Kishës”. Ai ndodhet në jug të fshatit, i vendosur në një kodër dominuese për tërë zonën përreth. Në gjendjen aktuale të ruajtjes së kishës është shumë e vështirë të krijohet një ide e qartë e planimetrisë së saj, pasi këtu në mënyrë të vazhdueshme janë bërë punime bujqësore, të cilat kanë cenuar dhe dëmtuar sipërfaqen e saj. Megjithatë, ky monument me orientim lindje-perëndim ruhet në dimensionet e përgjithshme 15 x 10 m. Muret anësore janë të dëmtuara dhe mund të ndiqen vetëm si linjë. Kurse në anën jugore, muri i ruajtur me trashësi 0.65 m është punuar me gurë mesatar të lidhur me llaç gëlqeror, ku vërehet edhe përdorimi i pluhurit të tullës. Në disa raste për nivelimin e mureve, janë përdorur fragmente tullash. Në anën lindore mund të përvijohet me vështirësi absida. Me sa duhet kjo kishë ka qenë 3 nefëshe. Materiali arkeologjik i mbledhur në sipërfaqe përfaqësohet më së shumti nga fragmente tullash dhe tjegullash, si dhe pak fragmente qeramike, që tipologjikisht i përkasin periudhës së vonë romake dhe Antikitetit të Vonë. Në afërsi të kishës u vërejtën gjurmë kalldrëmi të rrugës në një gjatësi prej 20-25 m, shtruar me gurë lumi deri në 3 radhë.

Gjurmët e vendbanimit romak të senocit janë evidentuar në regjistrin e aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës në vitet e para të pasluftës, dhe vendbanimi ende nuk është analizuar, shqyrtuar dhe trajtuar.

Në fshatin Vranjak ekziston toponimi “Varret e vjetra”. Gjatë hapjes së rrugës automobilistike, këtu janë gjetur shumë skelete, gjurmë varresh dhe gurë varresh të cilët janë vërejtur deri vonë pranë rrugës. Orientimi i varreve është verilindje-jugperëndim, ndërsa dimensionet e tyre luhaten në gjatësi nga 1.9 deri në 2. 00 m. Varret janë ndërtuar me rrasa guri të punuara, tipike për zonën. Në dy ekstremitetet, kokë-këmbë, vërehej vendosja e dy pllakave masive, ndërsa mbulesa e varreve ishte e trajtuar me rrasa guri të përmasave më të vogla. Këto varre në Vranjak për nga ndërtimi ngjasojnë shumë me varret e kulturës së Komanit.

Kështjella (Gradisha), përkatësisht kalaja e Gexhës, gjendet në fshatin Gexhë, Komuna e Rahovecit, në lindje të rrjedhës së lumit dhe sipër kanionit të Drint të Bardhë, pozicionuar rreth 500 metra në veri të Urës së Fshejtë. Në pjesën më të lartë të kodrës së Gradishës, dikur gjendej një kala e fortifikuar me mure mbrojtëse dhe me kulla. Kalaja nuk është gërmuar deri më sot.
Kalaja apo Gradisha e Gexhës ka një pozicion shumë të mirë gjeostrategjik. Fortifikimi është zhvilluar në anën veriore dhe veriperëndimore, përgjatë tarracës së sheshtë, që shtrihet deri mbi shkëmbinjtë e thepisur të kanionit të Drinit të Bardhë që përbën një mbrojtje natyrore, kurse në linjë ajrore komunikon me disa fortifikime tjera, si me Sukën e Cërmjanit, Kodrën e Hereqit, Gradinën e Gurit të Kuq dhe në verilindje me Gradishtën e Zatriqit. Në rrafshinën e sipërme të kodrës në fjalë, vërehen gjurmët e fortifikimit me përmasa relative 150 x 90 m dhe në formë përafërsisht trapezoidi. Po ashtu ka indikacione për gjurmë të disa kullave.
Bazuar nga fragmentet e qeramikës të gjetura këtu, dëshmohet për një vendbanim kodrinor shumështresor që në kohështrirje zhvillohet që nga parahistoria, përkatësisht nga koha e bronzit dhe periudhës së parë të hekurit. Gjithashtu, këtu u gjetën në sipërfaqe mjaft fragmente enësh qeramike që datohen në periudhën antike të vonë, kohë së cilës duket se i përket edhe fortifikimi me mjaft elemente planimetrikë të një castrum-i. Sipas të dhënave të shkruara, kjo kështjellë, ka elemente të qarta të një castrum-i, dhe mund të jetë ndërtuar mbase në kohën e tetrarkisë (Shek. IV) dhe ka qenë shfrytëzuar gjatë gjithë periudhës së Antikitetit të Vonë.

Mbishkrimi origjinal i gurit të varrit: D(is) M(anibus) / Scerulae-/dus Sitaes / vix(it) an(nis) XXX / interfectus / a latronibus Sita Da-/si p(ater) f(ilio) (ientissimo) et sibi / et Caiae Da-/si coniu-/gi b(ene) m(erenti) vi-/(v)us f(aciendum) c(uravit).
Përkthimi i mbishkrimit të gurit të varrit: Për nder të/ Scerulae dus Sitaes/ Jetoi 30 vite/ I vrarë duke udhëtuar nga një grabitës/ Ky monument u ngrit nga bashkëshorti Sita Da dhe i biri Caiae Da.
Objekti gjendet i ekspozuar në Muzeun Kombëtar në Prishtinë.

Ura është ndërtuar mbi lumin Remnik, i cili kalon përgjatë fshatit Fortesë. Fshati Fortesë gjendet 7 km në jugperëndim të Rahovecit dhe është një lokalitet i cili është i njohur dhe i banueshëm që nga koha e sundimit romak mbi këto troje. Vazhdimësia kronologjike e vendbanimit ka bërë që ky vend të banohet edhe në periudhat tjera kohore, duke lënë gjurmë arkitektonike deri në ditët tona, ndër dëshmitë për këtë është edhe ura e gurit.
Duke u bazuar në teknikën e ndërtimit, materialet dhe formën, supozohet se ura daton nga shek. XVI. Ura ka qenë në funksion të pandërprerë të banorëve të fshatit që nga koha e ndërtimit e deri më sot.
Ura ka një hark me diametër 7 m, gjatësia e saj është 10.7 m kurse gjerësia rreth 4 m. Harku i urës është ndërtuar në dy rreshta nga gurët shpuzore – siga. Pjesa e strukturës mbi hark është ndërtuar me gurë gëlqerorë të thyer, të lidhur me llaç gëlqeror. Traseja ka qenë e shtruar me kalldrëm, kurse kah fundi i shek. XX është niveluar dhe shtruar me pllakë betoni për t’iu përshtatur transportit motorik. 150 metra në verilindje të kësaj ure gjendet edhe një urë guri me dimensione më të vogla.
Prezenca e lokalitetit arkeologjik nga periudha romake dhe e dy urave nga guri na paraqiten si dëshmi materiale për vjetërsinë e këtij vendbanimi: dhe për zhvillimet urbanistike të zhvilluara që nga periudhat e hershme romake dhe mesjetare.
Në vitin 2011 muret rrethuese të lumit Remnik janë ndërtuar me gurë gëlqerorë, dhe ura e vjetër është integruar në këtë kompleks duke krijuar një peizazh kulturor karakteristik.

Në fshatin Brestovc, i cili gjendet 5 km në jug të qytetit të Rahovecit, gjendej xhamia e vjetër e cila supozohet të ishte njëra ndër xhamitë më të vjetra në Komunën e Rahovecit. Bazuar në të dhënat gojore të banorëve të fshatit dhe në literaturën e hulumtuar, gjurmët më të vjetra të xhamisë datonin nga shek. XVI. Xhamia gjendet në qendër të fshatit në anën lindore të rrugës Krushë e Madhe – Rahovec. Ishte e vendosur në një terren dominues, mbi një kodër, shumë pranë varrezave të fshatit.
Fatkeqësisht gjatë luftës së fundit (1998-1999), xhamia është djegur dhe shkatërruar nga forcat serbe. Nga struktura e saj origjinale ka mbetur vetëm minarja, pasi që pjesa tjetër e ndërtesës nuk rezistoi dot. Minarja e xhamisë është ndërtuar me gurë vendor, shpuzor, të lidhur me llaç gëlqeror. Trupi është ri-suvatosur me llaç vazhdues. Pjesa e poshtme e galerisë (sherefeja) së minares është e zbukuruar me profile të formave të ndryshme gjeometrike. Pjesa e sipërme e galerisë dhe çatia e minares (kylhani) janë rindërtuar gjatë vitit 1999, pas përfundimit të luftës.
Bazamenti i minares është shumë këndor, duke krijuar formën e shkronjës U, por edhe minarja ka gjithashtu formë shumë këndore. Në sherefe arrihet nëpërmjet shkallëve spirale nga guri.
Në varreza krahas varreve të reja, gjenden edhe disa varre të vjetra, të cilët supozohet se përkojnë me periudhën e ndërtimit të xhamisë. Minarja vazhdon të qëndrojë dhe të jetë dëshmi e trashëgimisë kulturore dhe historisë më të re të vendit, duke qenë pjesë e listës së trashëgimisë nën mbrojtje të shtetit.

Mbishkrimi origjinal i gurit të varrit: D(is) M(anibus) / Aur(elia) Catul-/la vixit / annis XX /Popar / f(iliae) b(ene) m(erenti).
Përkthimi i mbishkrimit të gurit të varrit: Për nder të/ Aurelia Catul/ Jetoi 20 vite/ Monumentin e ngriti Popar për vajzën e tij.
Objekti gjendet i ekspozuar në Muzeun Kombëtar në Prishtinë.

Gjatë punimeve bujqësore në vendin e quajtur Rrëzina në fshatin Bratotin, janë zbuluar fragmente qeramike dhe themele banesash, struktura arkitektonike. Gjatë vrojtimeve sipërfaqësore arkeologjike, në këtë areal, mbi sipërfaqe u evidentuan fragmente të ndryshme të materialit arkeologjik si: fragmente të ndryshme tullash, tjegullash, amforash dhe pjesë të enëve të ndryshme të përdorimit të përditshëm. Përgjithësisht materiali i imët i qeramikës ishte i punuar prej baltës shumë të pastër me ngjyrë kafe të çelët. Zbulimi i herëpashershëm i disa themeleve të banesave gjatë punimeve bujqësore, me sa duket flet për një vendbanim të periudhës së vonë romake.

Në veriperëndim të fshatit Guri i Kuq, mbi kodrën e njohur me emrin Gradina, gjenden gjurmë të qarta të një fortifikimi. Maja e kodrës ka pamje vizuale me ambientin përreth, me fushat nga Istogu, Klina, Peja, Deçani, Gjakova e Prizreni.
Fortifikimi në majën e kodrës ka formë vezake me përmasa 50 x 65 m, me një sipërfaqe afër 0.35 ha. Ai është i përbërë nga dy rrathë fortifikues, që përbëjnë pjesën e kështjellës dhe citadelën e saj. Kjo mënyrë fortifikimi është mjaft e përhapur në kështjellat e këtij rajoni.
Citadela përbëhet nga mure me formë vezake, me përmasa rreth 35 x 25 m. Ana perëndimore rrethohet nga shkëmbinj, të cilët janë mbathur aty këtu me mure, të cilët janë të lidhur në të thatë, teknikë kjo që është hasur edhe në Pogragjë të Klinës. Nga veriu, vargu shkëmbor ndiqet në vazhdim nga një mur i ruajtur në trajtën e një ledhi të gjerë 2-3 m, i cili përbëhet nga gurë të vegjël e mesatarë, me sa duket i lidhur me llaç të dobët gëlqeror. Faqet e murit janë të dëmtuara dhe të mbuluara vegjetacioni i dendur. Në pjesën lindore të citadelës, ku terreni është i butë, janë konstatuar gjurmët e një hyrjeje, krijuar nga ndërprerja e murit rrethues. Rreth fortifikimit të citadelës, në maje të kodrës, rreth 30-40 m distancë nga jashtë ndodhet muri rrethues i kështjellës. Ky mur ishte i ndërtuar me gurë të vegjël dhe mesatarë, e në ca vende i plotësuar me shkëmbinj të thepisur.
Teknika e dobët e ndërtimit dhe adaptimi i terrenit fortifikues në fortifikatë, na bëjnë të mendojmë që kemi të bëjmë me një ndërtim të shpejtë, urgjent, i cili është përdorur për raste emergjente.
Nga kontrolli në sipërfaqe të terrenit nuk është gjetur ndonjë gjetje që mundëson datimin e saktë të lokalitetit, por nga forma e kështjellës, planimetria e tillë dhe teknika e ndërtimit na thotë që ky vend është përdorur që nga parahistoria, por ndërtimi i mureve rrethuese me llaç gëlqeror na tregon që kjo fortifikatë është përdorur si vend strehim edhe në periudhën e Antikitetit të Vonë.

Gërmadhat e kishës “Shpëtimi i Shenjët” (Shën Gjergji) gjendën tek varrezat e vjetra të fshatit Opterushë. Kisha ishte vendosur në mbrojtje në vitin 1963. Përreth kishës, gjendën gjurmë të varreve me gurë mbivarror nga pllakat e gurit të punuar në formë drejtkëndore. Kjo kishë i takon kohës së vonë të mesjetës dhe mendohet se ishte ngritur në shekullin e XVII-XVIII.

Kisha e Shën Nikollës në Hoçë të Madhe ndodhet tek varrezat jashtë fshatit. Kisha është ndërtuar në shek. XIV, gjegjësisht ka vazhduar të pikturohet brenda deri në vitin 1345, kur në te është varrosur murgesha Marta, nëna e prijësit Gradislav Sushenica, kjo e dhënë shkruan në gurin e varrit. Monumenti përfaqëson trashëgimi kulturore të paluajtshme me një rëndësi të jashtëzakonshme. Supozohet që monumenti është ndërtuar nga prindërit e Gradislavit në shek. VIX. Kisha është objekt njënefësh me qemer gjysmërrethor, me absidë trefaqëshe nga jashtë dhe një absidë gjysmërrethore nga brenda. Muri ndërmjet narteksit dhe naosit nuk është më, pasi që në një periudhë është hequr. Vetëm në murin perëndimor është ruajtur një pjesë e afreskut origjinal, i cili sipas stilit i përket kohës së mbretërisë së Dushanit.
Kisha është rinovuar në shek. XVI, kurse në këtë kohë u pikturua përsëri brenda, duke shtuar figura biblike në te. Puna konservuese e afreskave është bërë në vitet 1970-1975. Monumenti është nën mbrojtje të shtetit të Kosovës dhe ka rëndësi të madhe në kompletimin e mozaikut të trashëgimisë kulturore të fshatit Hoçë e Madhe.

Fshati Opterushë gjendet në Komunën e Rahovecit, gjegjësisht 7 km në jug-lindje të Rahovecit, në rrugën Rahovec – Suharekë. Fshati ka një sipërfaqe prej afër 9 km2 me një lartësi mbidetare mesatarisht prej 450 m. Lokaliteti i kishës dhe varrezat gjenden në një pjesë të ngritur të fshatit, me lartësi prej 540 m mbi nivelin e detit. Muret e kishës ende ruhen, kurse në brendësi të tyre ende në disa vende ruhen afreskat. Kisha mendohet të jetë e shek. XIV-XV, mesjeta e vonë. Kisha ishte e ndërtuar me gurë gëlqeror dhe me gurë shtufe, të gjitha të marrë nga terreni vendas. Varret përreth Kishës janë të shumtë, janë të ndërtuara me konstruksion rrasash, kurse në kokë-këmbë kanë gurë, ku tek koka kanë kryqin. Kryqet janë të tipit maltez. Nga gërmimet arkeologjike në disa varre janë gjetur skeletet, si dhe materialet faktike, që datojnë nga periudha mes dy luftërave botërore. Mendohet që këto varre janë ripërdorur gjatë kësaj periudhe, pasi që materiali arkeologjik nuk përkon me konstruksionin e varreve dhe me gurët e varreve. Gjithashtu kjo varrezë është përdorur edhe gjatë fundit të shek. XX dhe kjo ka bërë që të dëmtohen shumë varre të vjetra. Muret e kishës dhe struktura e tyre sot është në gjendje të mirë, pasi që muret janë konservuar.

Në anën e djathtë të rrugës Prizren-Rahovec në një hapësirë bukur të madhe gjendet kisha e Shën Dielës. Në themelet e kishës së mëparshme nga shek. XIV, në vitin 1852 është ndërtuar objekti i kishës. Pas Luftës së Dytë Botërore objekti është rrënuar dhe më 1975 Enti krahinor për mbrojtjen e përmendoreve kulturore ndërtoi objektin e kishës në themelet e kishës së mëparshme.

Kisha e Shën Gjonit në Hoçë të Madhe gjendet në një kodër në hyrjen lindore të fshatit. Sipas afreskave në brendi të kishës, supozohet që është ndërtuar në shek. VIX. Është ndër monumentet e rëndësishme religjioze dhe historike e kulturore të fshatit. Kisha e Shën Gjonit ka një arkitekturë të pazakontë, kisha ka formën e një tetrakonkusi, me narteks katror. Absidat anësore janë më të ulëta se ato në lindje dhe perëndim. Naosi dhe narteksi janë me qemer gjysmërrethor. Absidat janë poligonale nga jashtë dhe gjysmërrethore nga branda. Në fund të shekullit të XVI kisha është rinovuar, kurse brenda saj është pikturuar. Afreskat kanë përmbajtje biblike, ku programi ikonografik i afreskave në narteks, me një përzgjedhje interesante të skenave, theksojnë mesazhin e fjalës lutëse drejtuar Krishtit.
Në murin lindor të narteksit, në kompozimin e Deisis, Nënës së Zotit dhe Shën Gjonit i lutet Krishtit që të jetë një gjykatës i butë në “Gjykimin e Fundit”, i cili është pikturuar në murin perëndimor. Portreti i shenjtorit mbrojtës është pikturuar në një kamare mbi hyrjen e naosit dhe skena nga jeta e tij janë të ilustruara në zonat më të larta të narteksit.
Afreskat e kishës së Shën Gjonit u konservuan në vitin 1975.

Manastiri i Zoçishtës i cili njihet edhe me emërtimin Manastiri i fatrrëfyesve të shenjtë Kozmai dhe Damjani, gjendët në fshatin Zoçishtë, rreth 5 km në juglindje të qytetit të Rahovecit.
Manastiri është ndërtuar në shekullin e XIV, mbi rrënojat e një kishe paleokristian të periudhës Bizantine. Gjatë hulumtimeve të fundit, janë zbuluar gjurmë dhe mbetje të gurëve mbivarror të antikitetit të vonë, përkatësisht të shekullit të IV, si dhe gjurmë të fragmenteve të qeramikës të periudhës së vonë romake (III-IV). Burimet e para të shkruara për këtë objekt kulti i hasim tek krisobula e Stefan Deçanit të vitit 1327.

Konaku dhe objekti i verarisë gjenden në qendër të fshatit në lagjen “Deçan” të Hoçës së Madhe. Është pronë e Manastirit të Deçanit nga koha e mbretit Dushan. Objekti është i ndërtuar përdhese dhe në kat. Pjesa e përdheses shërben për verë. Në pjesën tjetër është depoja e rekuizitave bujqësore. Kati i epërm është mysafir-hane. Në oborrin e konakut janë objektet e vjetra ku bëhet grumbullimi i rrushit dhe fillon përgatitja e verës dhe rakisë.