Profili gjeografik
Rrafsh luginor, kodra dhe male
Rahoveci shtrihet në pjesën qendrore të Gadishullit Ballkanik dhe i takon Evropës Juglindore. Territori përfshin pjesën qendrore dhe jugore të rrafshit të Dukagjinit dhe është i ndarë në tri tërësi ose mikroregjione: rrafshi luginor, kodrinor dhe malor.
Në veri kufizohet me Komunën e Klinës (rreth 45 km), në verilindje me Komunën e Malishevës (rreth 16 km), në juglindje me Komunën e Suharekës (rreth 17 km) dhe atë të Mamushës, në jug me Komunën e Prizrenit (25 km) dhe në perëndim me Komunën e Gjakovës (28 km). Nga kryeqendra e Kosovës, Prishtina, është rreth 60 km larg.
Temperaturat mesatare vjetore janë 11,68 °C, kurse mesatarja e reshjeve është 707,7 mm. Të reshurat e dëborës janë më të mëdha në muajin janar; ditë me borë janë mesatarisht 15,7 në vit. Mesatarja vjetore me mjegull është 19,7 ditë, ose 5,4%.
Në këtë komunë janë dy zona që kanë karakter të veçantë të mbrojtjes: Manastiri i Zoçishtës dhe fshati Hoçë e Madhe.