Teqeja e Madhe në Rahovec i takon tarikatit Halveti. Ky objekt sakral islam gjendet në qendër të qytetit të Rahovecit. Teqeja e Halvetive në Rahovec është ndërtuar në vitin 1732. Themeluesi i kësaj teqeje është: Sheh Sylejman Baba Rahoveci, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1771. Kompleksi i teqesë përbëhet nga disa njësi kryesore: teqeja me hapësirat e dedikuara për besimtarët e Tarikatit Halveti; dy tyrbe ku janë varrosur udhëheqësit shpirtëror të teqesë; oborri dhe hapësirat ekonomike. Ndërtesa e teqesë ka planimetri jo të rregullt ku gjenden dhoma e Shehut, dhoma e takimit të besimtarëve me Shehun, salla e lutjeve – Semahanja dhe biblioteka e cila posedon një fond të pasur me libra e dorëshkrime të vjetra. Në jug të teqesë është e bashkangjitur tyrbja e cila formon fasadën e kompleksit kah rruga kryesore. Fasada ballore përbëhet nga nëntë dritare me hapje gjysmë rrethore, dhe është e pa suvatuar ku shihet struktura e gurëve të gdhendur në formë të rregullt. Teqeja është e ndërtuar me gurë, ndërsa kulmi fillimisht ka qenë i mbuluar me rrasa guri, material tradicional karakteristik për Rahovecin dhe rajonin, kurse më vonë ato janë zëvendësuar me tjegulla argjile. Enterieri i teqesë ka një trajtim të lartë etnologjik dhe është i pasur me elemente tradicionale të teqesë, sikurse: libra dhe dorëshkrime të vjetra, vegla, instrumente muzikore etj. Konstruksioni i saj përbehet nga druri i stilizuar dhe i përpunuar mire. Është ndërtuar nga mjeshtrit vendor. Në dhomën e lutjeve – semahane, gjendet nisha që e shënon mihrabin, e cila është e dekoruar me pllaka qeramike me motive gjeometrike. Teqeja gjatë periudhave të ndryshme kohore ka përjetuar intervenime të ndryshme për adaptim në kushtet moderne.