“Hardh Fest”, festivali që i kushtohet Festës së Vjeljes së Rrushit në komunën e Rahovecit.
“Hardh Fest”-i tashmë është shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore që i sjell krenari të madhe komunës sonë të vogël, por të pasur me njerëz të mirë, punëtorë e mikpritës si askund tjetër.
Festa e rrushit që dikur shënohej në mënyrë simbolike nga vreshtarët lokalë të Rahovecit, tani është shndërruar në një festival madhështor, shumëngjyrësh e rekreativ, që mbledh të rinj e të reja nga e gjithë bota, për t’u kënaqur e dëfryer, për të parë e shijuar, sigurisht, përjetime të shumta e të paharruara nga oferta e pasur dhe e shkëlqyer që përmban e pëfaqëson festa e jonë, por edhe për ta njohur vreshtarinë e verën rahovecase, sikurse edhe vlerat e trashëgimisë tonë të pasur kulturore e natyrore.