Xhamia e Kasumit, e orientuar me fasadën ballore kah veriu gjendet në qytetin e Rahovecit, në rrugën Bekim Sylka. Në afërsi të xhamisë gjenden: sheshi Republika, kroi i vjetër në shesh, xhamia e Sokolit, Kulla e Hajrullah Çantës, si dhe shtëpitë të vjetra tradicionale përreth.
Sipas banorëve të Rahovecit, xhamia e Kasumit u ndërtua në shekullin XIX, në vitin 1826 nga familja Haxhimustafa me përkrahje të banorëve, ndërsa trualli u dhurua nga bamirësi Kosum Shtatvica.
Nga aspekti arkitektonik xhamia është ndërtuar në terren të pjerrët, me planimetri drejtkëndëshe, dhe përbëhet nga salla e lutjeve: në formë katrore me përmasa 677×657 cm, lartësi 625 cm, nga hajati: gjysmë i hapur i mbuluar me kulm, i cili shërben për hyrje në xhami, me planimetri jo të rregullt, si dhe aneksin: i ndërtuar më vonë në krahun lindor të xhamisë, në formë drejtkëndëshi, me përmasa 577×360 cm dhe lartësi 240 cm.
Salla e lutjeve ka çardakun apo mahvilin, i ndërtuar me konstruksion druri dhe mbahet me dy shtylla gjithashtu prej druri, si dhe rrethohet me rrethoja apo trapazanë prej druri. Konstruksioni i mahvilit dhe shtyllat janë të mbuluara me allçi-gips, ngjyrë të bardhë. Qasja për në mahvil mundësohet përmes shkallëve të minares.
Gjithashtu, në sallën e lutjeve gjendet Mihrabi, i futur në mur, Mimberi dhe Kyrsy, i punuar prej druri.
Në brendi të xhamisë gjegjësisht në kupolë gjenden pikturat murale me dekorime gjeometrike dhe florale. Minarja e xhamisë është me një sherefe dhe qasja mundësohet përmes hapjes në mur, e cila gjendet në nivel të sallës së lutjeve.
Themelet të xhamisë supozohen të jenë prej material guri, ndërkaq muret të sallës së lutjeve, me trashësi 70 cm, janë prej tullave të pjekura të lidhur me llaç çimentoje, kurse muret e hajatit dhe aneksit janë prej blloqeve betoni, trashësi 25 cm. Minarja e xhamisë është e ndërtuar me gurë shpuzore-siga, e suvatosur nga jashtë me llaç çimentoje dhe është meremetuar pas viteve 2000, si pasoj e dëmtimeve nga granatat, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999.
Pajisjet e paluajtshme: Mihrabi; Mimberi i punuar prej druri me dekorime gjeometrike. Është transferuar nga xhamia e çarshisë me çardak, e rrënuar më 2000; Kyrsy i punuar prej druri; Gardhi i mahvilit i punuar prej druri; Piktura murale me dekorime gjeometrike dhe florale në kupolë;
Pajisjet e luajtshme: Tespihet; Orë e madhe prej druri; Bazamenti i kapitelit, i gdhendur prej guri vendor, i cili gjendet në oborr të xhamisë;
Xhamia ka vlerë historike sepse gjatë viteve ’90 ka shërbyer si shkollë të mesme, për nxënësit të Komunës së Rahovecit; Gjatë demonstratave dhe protestave gjithëkombëtare ka shërbyer për tubime demonstruese dhe strehimin e tyre; Ndërkaq gjatë luftës së fundit në Kosovë në viteve 1998-99 ka shërbyer si depo të ushqimit, veshmbathjes, për furnizimin e luftëtarët të UÇK-së.
Xhamia, gjatë tërë kohës ka shërbyer dhe akoma shërben si xhami, vend kulti islam për banorët e Rahovecit.