Xhamia e Sokolit, e orientuar me fasadën ballore kah perëndimi gjendet në qytetin e Rahovecit, në rrugën Bekim Sylka afër sheshit Republika. Në afërsi të xhamisë gjenden: Kulla e Hajrrullah Çantës, kroi i vjetër në sheshin Republika, xhamia e Kasumit, Sahat kulla, shtëpitë të vjetra tradicionale etj.
Sipas banorëve të qytetit të Rahovecit, xhamia e Sokolit u ndërtua në fillim të shekullit XIX, në vitin 1824, para xhamisë së Kasumit nga Sylë Sokoli me përkrahje të banorëve vendas.
Nga aspekti arkitektonik, xhamia është ndërtuar në terren të pjerrët, me planimetri drejtkëndëshe, dhe përbëhet nga salla e lutjeve: në formë katërkëndëshe me përmasa 732×738 cm, lartësi 695 cm, si dhe nga hajati, i cili gjendet në kuadër të sallës së lutjeve dhe është i mbuluar me kulm të rrafshët. Hapësira e hajatit, me planimetri jo të rregullt, përmasa 739×205 cm, lartësi 351 cm, u ndërtua më vonë dhe shërben për hyrje në sallën e lutjeve (xhami) nga krahu anësor-perëndimor i xhamisë.
Në sallën e lutjeve gjendet Mihrabi, i futur në murin jugor të xhamisë, Mimberi dhe Kyrsy, i punuar prej druri. Në brendi të xhamisë gjegjësisht në kupolë gjenden pikturat murale me dekorime gjeometrike dhe florale. Minarja e xhamisë e vendosur në anën perëndimorë të xhamisë, ka planimetri shumëkëndëshe, me një sherefe dhe qasja mundësohet përmes hapjes në mur, e cila gjendet në një lartësi të caktuar nga nivel i sallës së lutjeve.
Në kuadër të oborrit të xhamisë gjenden këto objekte përcjellëse, si: çezmat për abdes, hapësira përcjellëse e xhamisë, nyjet sanitare dhe një ndërtesë – aneks e re P+1, në shërbim të xhamisë. Oborri i xhamisë është i shtruar me gurë të thyer.
Themelet të xhamisë supozohen të jenë prej material guri, ndërkaq muret të sallës së lutjeve, trashësi 60 cm, janë prej tullave të pjekura, të lidhur me llaç çimentoje. Minarja e xhamisë është e ndërtuar me gurë shpuzorë-siga, e suvatosur nga jashtë me llaç çimentoje dhe është meremetuar pas viteve 2000, si pasojë e dëmtimeve nga granatat, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999.
Kulmi i xhamisë është katër-ujorë, i mbuluar me tjegulla të rrafshëta, ndërsa mbulesa e minares është prej llamarine.
Pajisjet e paluajtshme: Mihrabi, i futur në murin jugor të xhamisë; Mimberi, i punuar prej druri; Kyrsy, i punuar prej druri; Piktura murale me dekorime gjeometrike dhe florale në kupollë;
Pajisjet e luajtshme: Orë e madhe prej druri; Tespihet;
Xhamia ka vlerë historike sepse gjatë viteve ’90 të shek. XX ka shërbyer si shkollë të mesme, për nxënësit të Komunës së Rahovecit; Gjatë demonstratave dhe protestave gjithëkombëtare ka shërbyer për tubime demonstruese dhe strehimin e tyre; Ndërkaq gjatë luftës së fundit në Kosovë në viteve 1998-99 ka shërbyer si depo të ushqimit, veshmbathjes, për furnizimin e luftëtarët të UÇK-së.
Xhamia, gjatë tërë kohës ka shërbyer dhe akoma shërben për veprimtari kulti islam për banorët e Rahovecit.