Trashëgimia kulturore

Xhamia e Pastasellës, Pastasellë

Pastasellë Mosque, Pastasellë

Në fshatin Pastasellë, i cili gjendet 9 km në veriperëndim të Rahovecit, gjendej xhamia e vjetër e cila supozohet të ishte ndërtuar para shek. XIX.
Në vitin 1976, mbi themelet e xhamisë së vjetër është ndërtuar një xhami e re. Nga xhamia e vjetër ka mbetur vetëm baza e minares deri në një lartësi rreth 1 metër.
Gjatë luftës së fundit (1998-1999) kjo xhami është demoluar nga brenda, demolim i cili nuk mundi të riparohet asnjëherë, dhe kështu në vitin 2011 është rrënuar xhamia përsëro, për tu ndërtuar një xhami e re po në atë vend ku ishte kjo e fundit.
Xhamia e re është ndërtuar me përmasa më të mëdha, me përdorim të materialeve moderne të ndërtimit. Xhamia e re ka planimetri drejtkëndëshe, dhe përbëhet nga hajati i mbyllur, i ndarë në dy etazhe, salla e lutjes e mbuluar me kupolë dhe minarja me një lartësi të madhe, e dekoruar me dy sherefe dhe kulmin. Në ndërtimin e ri, ndoshta edhe nga donatorët apo nga ndikimi i arkitekturës së huaj, vërehet ndikimi i stilit Arab në arkitekturën e xhamisë.
Nga xhamia e vjetër kanë mbetur vetëm bazamenti i minares dhe mbishkrimi i renovimit të bërë gjatë mesit të parë të shek. XIX.
Bazamenti i minares është ndërtuar me gurë shpuzor të gdhendur për qëllim të veçantë për ndërtime të tilla, kurse lidhja e tyre është bërë me llaç gëlqeror.
Mbishkrimi është shkruar në mermer të bardhë, në gjuhën e vjetër Osmane, në stilin e shkrimit “Sylys”, dhe është i dekoruar me dekorime në formë florale dhe gjeometrike.