Shtëpia e Qamil Vuçitërnës gjendet në qendër e vjetër të Rahovecit. Supozohet të jetë ndërtuar në fund të shek. XIX. Prej kohës kur është ndërtuar e deri para disa viteve ka qenë e banuar.
Shtëpia ndodhet mbi një terren të pjerrët shkëmbor, ku edhe organizimi hapësinor iu është përshtatur konfiguracionit të terrenit. Ka planimetri jo të rregullt katërkëndëshe, të ndërtuar në përdhese dhe kat. Përdhesa është shfrytëzuar për funksionet ekonomike, të ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimit, kurse kati ka shërbyer për banim.
Fasada lindore dhe jugore kufizohen me ndërtesa tjera banimi, kurse fasada perëndimore është e orientuar kah rruga. Këto fasada kanë një trajtim të thjeshtë linear pa ndonjë dekorim. Fasada ballore, ajo veriore e cila është e orientuar kah oborri i brendshëm ka një trajtim më të veçantë.
Muret në përdhese janë ndërtuar nga gurë të gdhendur në formë drejtkëndëshe, të përforcuar me trarë druri, duke krijuar brezat horizontal. Muret në kat janë ndërtuar nga tulla dheu të pjekur – qerpiçi.
Kulmi është katër ujor, fillimisht i mbuluar me rrasa guri, kurse gjatë mesit të shek. XX, është mbuluar me pllaka të valëzuar – sallonit.
Në enterier të shtëpisë janë ruajtur disa elemente origjinale tradicionale, të cilët karakterizohen me një nivel të lartë të drugdhendjes. Nga elementet në enterier vlen të theksohen, shkallët e vjetra nga druri, dhe tavanet nga druri të punuara në stilin shishe tavan.
Krahas drugdhendjes edhe përpunimi i gurit është trajtuar me nivel të lartë artistik. Këtu veçohen gurët e gdhendur të përdorur në strukturën e mureve në përdhese; dhe porta me hapje harkore nga guri në fasadën ballore.
Gjatë viteve ndërtesa ka pësuar transformime të shumta për t’u përshtatur nevojave të jetës moderne. Dritaret në fasadën ballore kanë pasur kornizë të punuar nga guri, kurse tani janë zëvendësuar me dritare me kornizë druri;
Proporcionet e ndërtesës, fasada ballore e theksuar, materialet dhe teknika e ndërtimit, paraqesin karakteristikat kryesore të kësaj kulle-shtëpie.
Trashëgimia kulturore
Kulla e Qamil Vuçitërnës, Rahovec
Qamil Vuçitërna’s Tower House, Rahovec