Trashëgimia kulturore

Kalaja e Rahovecit

Rahovec Castle

Kalaja e Rahovecit ndodhet në lindje të qytetit të Rahovecit, ky fortifikim njihet nga banorët vendas si Kalaja e Durmanit. Kalaja ka një pozitë gjeostrategjike shumë të rëndësishme. Ajo zotëron një këndvështrim të gjerë në arealin gjeografik dhe ka pika shikimi reciproke me kështjellat e tjera përreth, si me Zatriqin, Cërmjanin, në anën veriore; Vraniqin dhe Korishën në krahun juglindor, si dhe Karashëngjergjin dhe Vlashnjën në anën jugperëndimore.
Kështjella është e vendosur mbi dy kodra me lartësi mbidetare 722 dhe 702 m, ka një formë të zgjatur, që i përshtatet jo rrallë konfiguracionit të terrenit. Pjesa gjatësore e fortifikimit me orientim lindje-perëndim është rreth 200 m, ndërsa gjerësia luhatet nga 44 m në ekstremin veriperëndimor deri në 55 m në atë juglindor. Brenda këtij perimetri muresh rrethohet një sipërfaqe rreth 0,60 ha.
Muret e kalasë ruhen mirë mbi sipërfaqe. Kjo më së miri vërehet në anët jugore dhe lindore, ku lartësia e tyre arrin deri në 1,10 m. Në pjesët e tjera, veriore dhe perëndimore, muret kanë formën e një traseje mbi sipërfaqen e tokës, ndërsa në ekstremin jugperëndimor ka vende ku mungojnë.
Muret rrethuese ruajnë një teknikë ndërtimi të njëjtës formë për të gjithë fortifikimin.
Krahu i murit jugor të kështjellës është i fortifikuar me 5 kulla, që paraqesin tipa të ndryshëm planimetrish, në formë patkoi (kullat nr. 1 dhe 5), katrore (nr. 2 dhe 4) dhe drejtkëndore (kulla nr. 3).
Fortifikimi i pjesës jugore me 5 kulla, siguronte një mbrojtje aktive në pjesën më pak të mbrojtur të kodrës, të ekspozuar kundruall territorit fushor dhe kodrinor të komunës së sotme të Suharekës, mjaft të pasur me gjurmë vendbanimesh të Periudhës Romake dhe Antike të Vonë.
Mbështetur në teknikën e ndërtimit të mureve rrethuese, formën planimetrike të kullave dhe në elemente të tjera, mendojmë se kalaja e Rahovecit i përket një fortifikimi me karakter vrojtues ushtarak në këtë pjese të trasesë që lidhte zonat malore me qendrën e rëndësishme të Ulpianës. Vendbanimet e shumta përreth këtij fortifikimi, të cilat janë të shekujve III-IV, flasin për rëndësinë që kishte kjo zonë në këtë periudhe. Ekzistenca e rrugëve të komunikacionit, siç ishte traseja Lissus-Naissus përgjatë kësaj treve, me siguri solli si nevojë ndërtimin e këtij fortifikimi me karakter ushtarak me qëllim vrojtimi të zonës dhe ruajtjen e kësaj arterie lidhëse ekonomike. Muri ndarës brenda fortifikimit dëshmon një vazhdimësi të jetës së këtij fortifikimi, së paku edhe në dy shekujt e mëvonshëm V dhe VI.