Trashëgimia kulturore

Tuma dhe Vendbanimi në Pastasel

Tumulus and Settlement in Pastasel

Nekropoli tumular, ndodhet në pjesën verilindore të fshatit Pastasel, gjegjësisht mbi një kodër shkëmbore të sheshtë, që nga banorët vendas njihet si “Fusha e Breshkave”. Pozicioni ku shtrihet nekropoli tumular është mjaft i veçantë dhe ka një dominim te jashtëzakonshëm mbi tërë territorin fushor të zonës jug-perëndimore.

Gjatë përnjohjes u arrit që të evidentohen tri tuma të përmasave të ndryshme, por më qenë se terreni në disa pjesë është i mbuluar me shkurre dhe lisa, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe tuma të tjera. Ato janë të ndërtuara kryesisht me pak dhe, dhe shumë gurë terreni me ngjyrë të mbyllët gri. Tumat kanë formë në trajtë gjysmë sferike me përmasa që variojnë nga 16-18 m dhe me lartësi 0.6-deri në 1.5 m.

Bazuar në informacionet e mbledhura në zonë, mendojmë se ky nekropol i takon periudhës së bronzit, por që mund të jetë ripërdorur edhe gjatë periudhës së hekurit. Ky supozim vjen edhe për vet faktin se rreth 150 m në lindje të nekropolit, u evidentua edhe vendbanimi kodrinor, ku ruhej një linje ledhi prehistorik, që është karakteristikë e periudhës së bronzit.