Trashëgimia kulturore

Rrënojat e Xhamisë, Brestovc

Ruins of the Mosque, Brestovc

Në fshatin Brestovc, i cili gjendet 5 km në jug të qytetit të Rahovecit, gjendej xhamia e vjetër e cila supozohet të ishte njëra ndër xhamitë më të vjetra në Komunën e Rahovecit. Bazuar në të dhënat gojore të banorëve të fshatit dhe në literaturën e hulumtuar, gjurmët më të vjetra të xhamisë datonin nga shek. XVI. Xhamia gjendet në qendër të fshatit në anën lindore të rrugës Krushë e Madhe – Rahovec. Ishte e vendosur në një terren dominues, mbi një kodër, shumë pranë varrezave të fshatit.
Fatkeqësisht gjatë luftës së fundit (1998-1999), xhamia është djegur dhe shkatërruar nga forcat serbe. Nga struktura e saj origjinale ka mbetur vetëm minarja, pasi që pjesa tjetër e ndërtesës nuk rezistoi dot. Minarja e xhamisë është ndërtuar me gurë vendor, shpuzor, të lidhur me llaç gëlqeror. Trupi është ri-suvatosur me llaç vazhdues. Pjesa e poshtme e galerisë (sherefeja) së minares është e zbukuruar me profile të formave të ndryshme gjeometrike. Pjesa e sipërme e galerisë dhe çatia e minares (kylhani) janë rindërtuar gjatë vitit 1999, pas përfundimit të luftës.
Bazamenti i minares është shumë këndor, duke krijuar formën e shkronjës U, por edhe minarja ka gjithashtu formë shumë këndore. Në sherefe arrihet nëpërmjet shkallëve spirale nga guri.
Në varreza krahas varreve të reja, gjenden edhe disa varre të vjetra, të cilët supozohet se përkojnë me periudhën e ndërtimit të xhamisë. Minarja vazhdon të qëndrojë dhe të jetë dëshmi e trashëgimisë kulturore dhe historisë më të re të vendit, duke qenë pjesë e listës së trashëgimisë nën mbrojtje të shtetit.