Trashëgimia kulturore

Rrënojat e Kishës Mesjetare dhe Varrezat e Vjetra – Opterushë

Ruins of the Medieval Church and the Old Cemetery – Opterushë

Fshati Opterushë gjendet në Komunën e Rahovecit, gjegjësisht 7 km në jug-lindje të Rahovecit, në rrugën Rahovec – Suharekë. Fshati ka një sipërfaqe prej afër 9 km2 me një lartësi mbidetare mesatarisht prej 450 m. Lokaliteti i kishës dhe varrezat gjenden në një pjesë të ngritur të fshatit, me lartësi prej 540 m mbi nivelin e detit. Muret e kishës ende ruhen, kurse në brendësi të tyre ende në disa vende ruhen afreskat.

Kisha mendohet të jetë e shek. XIV-XV, mesjeta e vonë. Kisha ishte e ndërtuar me gurë gëlqeror dhe me gurë shtufe, të gjitha të marrë nga terreni vendas. Varret përreth Kishës janë të shumtë, janë të ndërtuara me konstruksion rrasash, kurse në kokë-këmbë kanë gurë, ku tek koka kanë kryqin. Kryqet janë të tipit maltez.

Nga gërmimet arkeologjike në disa varre janë gjetur skeletet, si dhe materialet faktike, që datojnë nga periudha mes dy luftërave botërore. Mendohet që këto varre janë ripërdorur gjatë kësaj periudhe, pasi që materiali arkeologjik nuk përkon me konstruksionin e varreve dhe me gurët e varreve. Gjithashtu kjo varrezë është përdorur edhe gjatë fundit të shek. XX dhe kjo ka bërë që të dëmtohen shumë varre të vjetra.

Muret e kishës dhe struktura e tyre sot është në gjendje të mirë, pasi që muret janë konservuar.