Mulliri i familjes Isaku (Vuçitërna) gjendet pranë qytetit të Rahovecit, rreth 700 m larg rrugës kryesore Rahovec-Malishevë. Është i ndërtuar në mes të një livadhi pranë të cilit kalon lumi dhe është i vendosur në parcelë jo të rregullt në terren të pjerrët.
Koha e ndërtimit të mullirit nuk dihet saktë por supozohet se është e ndërtuar në fund të shek. XIX. Që nga koha e ndërtimit e deri në vitin 1990, mulliri ka kryer funksionin e tij primar, ndërsa në ditët e sotme ai është jo funksional.
Ka planimetri drejtkëndëshe, i ndërtuar në përdhese në hapësirë të vetme për bluarjen e miellit, por si pasojë e nevojave të pronarit është bërë ndarja e tij në dy pjesë, me blloqe argjile. Muret janë të ndërtuar prej gurëve të ndryshëm lumor të lidhur me llaç balte dhe të përforcuara me hatulla druri. Mulliri në muret periferike të tij është e fuguar me llaç gëlqeror, ndërsa një pjesë e mureve të brendshme është e suvatuar me llaç gëlqeror.
Konstruksioni i kulmit është katër ujor i punuar me trarë druri të mbuluar me pllaka guri vendore (rrasa).
Lidhja e ambientit të jashtëm me atë të brendshëm mundësohet nga dy porta, të hapura në pjesën lindore të ndërtesës. Hapja harkore, ajo burimore gjendet në pjesën e djathtë të ndërtesës, ndërsa hapja tjetër paraqitet si pasojë e qasjes në hapësirën e ndarë më vonë.
Në enterier, mulliri ka dy hapësira ku gjenden pajisjet e luajtshme, në të janë ruajtur disa elemente origjinale të cilët nevojiten për funksionimin e tij. Pajisjet për bluarje janë në gjendje jo funksionale.
Mulliri paraqet një ndërtesë ekonomike dhe dëshmi materiale të mënyrës së përpunimit të miellit gjatë shek. XIX. Njëkohësisht ndërlidhet me shërbimin që ka ofruar kjo ndërtesë për bluarje të miellit, për popullsinë. Në aspektin etnologjik kjo zeje e bluarjes së miellit në mënyrë tradicionale, është në zhdukje e sipër, prandaj ruajtja dhe kultivimi i saj kanë rëndësi të madhe.
Mulliri i familjes Isaku – Vuçitërna, duke u bazuar në vlerësim të dëmtimeve është në gjendje mesatarisht të mirë fizike.
Trashëgimia kulturore
Mulliri i Vjetër i Familjes Isaku (Vuçitërna), Rahovec
Old Mill of the Isaku Family (Vuçitërna), Rahovec