Trashëgimia kulturore

Kroi i Gurit, Rahovec

Stone Fountain, Rahovec

Kroi i gurit, ndryshe i quajtur edhe si Kroi i sheshit të Republikës II, gjendet në Sheshin e Republikës, në qendrën e vjetër të qytetit të Rahovecit. Është ndërtuar në shek. XVIII. Kroi prej kohës së ndërtimit e deri më sot shërben si krua publik, për furnizimin e banorëve dhe kalimtarëve me ujë të pijshëm. Uji deri në krua vjen me rënie të lirë nga burimi Zhdrella.

Kroi i takon tipit të krojeve të mbështetura të cilët janë ndërtuar kryesisht në kënde të rrugëve. Ka një trajtim të thjeshtë dekorativ. Përbëhet prej dy pjesëve, ballores dhe vaskës. Ballorja ka planimetri drejtkëndore, dhe është punuar nga gurët e gdhendur në formë drejtkëndëshi të lidhur me llaç gëlqeror.

Pjesa e sipërme e ballores përfundon në formë të timpanorit dhe mbulohet me një kulm dy ujor të formësuar nga rrasa gurësh. Në mes të timpanorit është gdhendur një gur në formë katrore, ku paraqitet një shkrim osman. Në dy anët e kroit gjenden dy nisha për vendosjen e sapunit dhe rekuizitave tjera. Vaska ka planimetri jo të rregullt në formë katërkëndëshi, e punuar nga guri gëlqeror monolit.

Mbishkrimi i cili gjendet në anën ballore të murit, është i shkruar në gur gëlqeror me stilin “kufi”. Prej kohës kur është ndërtuar e deri më tani, kroi ka mbetur në vendin fillestar me disa adaptime të vogla, pjesa e sipërme është rrënuar, dhe planifikohet rindërtimi në bazë të analogjisë me krojet tjera publike.

Ky krua me formën, përmasat, teknikën e ndërtimit dhe trajtimin artistik, paraqet një shembull të veçantë të krojeve publike të ndërtuara gjatë shek. XVIII-XIX në Rahovec.