Kështjella (Gradisha), përkatësisht kalaja e Gexhës, gjendet në fshatin Gexhë, Komuna e Rahovecit, në lindje të rrjedhës së lumit dhe sipër kanionit të Drint të Bardhë, pozicionuar rreth 500 metra në veri të Urës së Fshejtë. Në pjesën më të lartë të kodrës së Gradishës, dikur gjendej një kala e fortifikuar me mure mbrojtëse dhe me kulla. Kalaja nuk është gërmuar deri më sot.
Kalaja apo Gradisha e Gexhës ka një pozicion shumë të mirë gjeostrategjik. Fortifikimi është zhvilluar në anën veriore dhe veriperëndimore, përgjatë tarracës së sheshtë, që shtrihet deri mbi shkëmbinjtë e thepisur të kanionit të Drinit të Bardhë që përbën një mbrojtje natyrore, kurse në linjë ajrore komunikon me disa fortifikime tjera, si me Sukën e Cërmjanit, Kodrën e Hereqit, Gradinën e Gurit të Kuq dhe në verilindje me Gradishtën e Zatriqit. Në rrafshinën e sipërme të kodrës në fjalë, vërehen gjurmët e fortifikimit me përmasa relative 150 x 90 m dhe në formë përafërsisht trapezoidi. Po ashtu ka indikacione për gjurmë të disa kullave.
Bazuar nga fragmentet e qeramikës të gjetura këtu, dëshmohet për një vendbanim kodrinor shumështresor që në kohështrirje zhvillohet që nga parahistoria, përkatësisht nga koha e bronzit dhe periudhës së parë të hekurit. Gjithashtu, këtu u gjetën në sipërfaqe mjaft fragmente enësh qeramike që datohen në periudhën antike të vonë, kohë së cilës duket se i përket edhe fortifikimi me mjaft elemente planimetrikë të një castrum-i. Sipas të dhënave të shkruara, kjo kështjellë, ka elemente të qarta të një castrum-i, dhe mund të jetë ndërtuar mbase në kohën e tetrarkisë (Shek. IV) dhe ka qenë shfrytëzuar gjatë gjithë periudhës së Antikitetit të Vonë.
Trashëgimia kulturore
Kështjella në Gexhë
The Castle in Gexhë