Sharenica është festë lokale dhe tradicionale për banorët e disa fshatrave të komunës së Rahovecit. Është festë, por është edhe vend në Bjeshkën e Zatriqit, në pjesën ballore të kodrës mbi fshatin Drenoc. Sharenica pra ka karakter kohor, sepse është ditë e caktuar në të cilën bëhen disa rituale të veçanta, por ka edhe karakter hapësinor, sepse është një vend i cili nga një pjesë e popullatës lokale konsiderohet i shejtë. Sharenica, në fakt, është njëri prej lokaliteteve më të rëndësishme të artit shkëmbor të Kosovës. Në kuptimin kalendarik, kjo festë mbahet më 9 gusht, ditën kur, siç thonë banorët lokalë, rrushi fillon të merr ngjyrë, të bëhet me lara ose me shara. Shumë të rinj nga fshatrat përreth, dalin te shkëmbi i Sharenicës, ndezin zjarre, luajnë dhe këndojnë, kurse herët në mëngjes, sapo të lind dielli, e bëjnë « ritin e kalimit » – një rit i vjetër i cili ka kuptimin e purifikimit përmes kalimit nëpër gurë. Krahas riteve, Sharenicën e bëjnë të veçantë edhe simbolet e lashta të artit shkëmbor. Simbolet gjenden në sipërfaqen e shkëmbit dhe janë bërë me teknikën e gërvishjes. Ato janë të stilit skematik, me motive të ndryshme, por bien në sy sidomos motivet vegjetale, animale dhe astrale. Simbolet e Sharenicës janë abstrakte dhe gjeometrike, kurse mesazhi i tyre mbetet misterioz dhe vështirë të deshifrohet. Dielli , hëna, asterisks, arbolet, cupules, rrjeti, vulva, dora, këmba, ylli pescepësh, tabelat, rrathët koncentrikë, shtëpitë, veglat, shkronjat etj., janë vetëm disa prej motiveve që shpërfaqen në sipërfaqen e shkëmbit në Sharenicë.