Nga vrojtimet e kryera në vitet 2001-2002 u konstatuan gjurmët e një monumenti religjioz, i njohur nga vendasit me toponimin “Bregu i Kishës”. Ai ndodhet në jug të fshatit, i vendosur në një kodër dominuese për tërë zonën përreth.
Në gjendjen aktuale të ruajtjes së kishës është shumë e vështirë të krijohet një ide e qartë e planimetrisë së saj, pasi këtu në mënyrë të vazhdueshme janë bërë punime bujqësore, të cilat kanë cenuar dhe dëmtuar sipërfaqen e saj. Megjithatë, ky monument me orientim lindje-perëndim ruhet në dimensionet e përgjithshme 15 x 10 m. Muret anësore janë të dëmtuara dhe mund të ndiqen vetëm si linjë.
Kurse në anën jugore, muri i ruajtur me trashësi 0.65 m është punuar me gurë mesatar të lidhur me llaç gëlqeror, ku vërehet edhe përdorimi i pluhurit të tullës. Në disa raste për nivelimin e mureve, janë përdorur fragmente tullash. Në anën lindore mund të përvijohet me vështirësi absida. Me sa duhet kjo kishë ka qenë 3 nefëshe.
Materiali arkeologjik i mbledhur në sipërfaqe përfaqësohet më së shumti nga fragmente tullash dhe tjegullash, si dhe pak fragmente qeramike, që tipologjikisht i përkasin periudhës së vonë romake dhe Antikitetit të Vonë. Në afërsi të kishës u vërejtën gjurmë kalldrëmi të rrugës në një gjatësi prej 20-25 m, shtruar me gurë lumi deri në 3 radhë.