Trashëgimia kulturore

Ura e Gurit, Fortesë

The Stone Bridge, Fortesë

Ura është ndërtuar mbi lumin Remnik, i cili kalon përgjatë fshatit Fortesë. Fshati Fortesë gjendet 7 km në jugperëndim të Rahovecit dhe është një lokalitet i cili është i njohur dhe i banueshëm që nga koha e sundimit romak mbi këto troje. Vazhdimësia kronologjike e vendbanimit ka bërë që ky vend të banohet edhe në periudhat tjera kohore, duke lënë gjurmë arkitektonike deri në ditët tona, ndër dëshmitë për këtë është edhe ura e gurit.
Duke u bazuar në teknikën e ndërtimit, materialet dhe formën, supozohet se ura daton nga shek. XVI. Ura ka qenë në funksion të pandërprerë të banorëve të fshatit që nga koha e ndërtimit e deri më sot.
Ura ka një hark me diametër 7 m, gjatësia e saj është 10.7 m kurse gjerësia rreth 4 m. Harku i urës është ndërtuar në dy rreshta nga gurët shpuzore – siga. Pjesa e strukturës mbi hark është ndërtuar me gurë gëlqerorë të thyer, të lidhur me llaç gëlqeror. Traseja ka qenë e shtruar me kalldrëm, kurse kah fundi i shek. XX është niveluar dhe shtruar me pllakë betoni për t’iu përshtatur transportit motorik. 150 metra në verilindje të kësaj ure gjendet edhe një urë guri me dimensione më të vogla.
Prezenca e lokalitetit arkeologjik nga periudha romake dhe e dy urave nga guri na paraqiten si dëshmi materiale për vjetërsinë e këtij vendbanimi: dhe për zhvillimet urbanistike të zhvilluara që nga periudhat e hershme romake dhe mesjetare.
Në vitin 2011 muret rrethuese të lumit Remnik janë ndërtuar me gurë gëlqerorë, dhe ura e vjetër është integruar në këtë kompleks duke krijuar një peizazh kulturor karakteristik.