Trashëgimia kulturore

Tyrbja e Dervish Avdiut dhe Ahmatit, Pataçan i Ulët

Tomb of Dervish Avdi and Ahmat, Pataçan i Ulët

Tyrbja e Dervish Avdiut dhe Ahmatit, e orientuar me fasadën ballore kah verilindja, gjendet brenda hapësirës së varrezave të fshatit Pataçan i Ulët, Komuna e Rahovecit. Në afërsi të tyrbes gjenden varrezat e fshatit, shtëpitë përreth për banim dhe shkolla fillore e fshatit. Sipas të dhënave gojore tyrbja për herë të parë u themelua para më shumë se 200 viteve, ku më vonë, më konkretisht rreth viteve 85’ të shek. XX u rindërtua përsëri me material të kohës mbi muret ekzistuese.
Sot tyrbja është në gjendje të mirë, por rrallë vizitohet nga fshatarët. Nga aspekti arkitektonik tyrbja me planimetri katrore është ndërtuar në terren me pjerrtësi të ulët. Është ndërtesë përdhese me përmasa 600×560 cm, lartësi 216 cm dhe është e ndërtuar mbi mure të tyrbes së hershme prej materiali gur vendor dhe mureve ekzistuese i ndërtuar me mure prej materiali të kohës, blloqe betoni të lidhur me llaç çimentoje, trashësi 30 cm. Muret e brendshme dhe të jashtme të tyrbes janë të suvatosura me llaç vazhdues – çimentoje, ngjyrë të bardhë. Në brendi të tyrbes gjenden dy varre të pjesëtarëve të radhës Halveti, varri i dervish Avdiut dhe varri i dervish Ahmatit, ku janë të mbuluar me dërrasa dhe sipër me mbulesa dhe peshqir. Dyshemeja në brendi të tyrbes është e shtruar me pllaka qeramike. Dera dhe dritaret janë prej druri në formë harkore. Gjithsej gjenden dy hapje të dritareve prej druri, të mbyllura nga jashtë me grila hekuri. Njëra gjendet në fasadën ballore, pranë derës hyrëse dhe tjetra gjendet në fasadën anësore dhe ka një hapje të vogël ku besimtarët hedhin të holla. Ndërkaq kulmi është katër ujor, i mbuluar me tjegulla të rrafshëta.
Qasja në tyrbe mundësohet nga muri verilindor përmes derës hyrëse prej druri. Në kuadër të tyrbes gjendet oborri me varret, këndi për pushim (ulëset prej druri), lisi shumëvjeçar bungu dhe një çezmë e re. Oborri rrethohet me një mur të ulët me rrethoja hekuri dekorativ dhe është i shtruar me pllaka guri. Tyrben e vizitojnë personat e sëmurë dhe besimtarët e tjerë të cilët sjellin qirinj, peshqir, harama, të holla etj. Tyrbja vizitohet për Shën Gjergj, me 5 maj më së shumti nga banorët e rajonit të Rahovecit.