Trashëgimia kulturore

Terma - Banjo Romake në Çifllak

Thermae - Roman Bath in Çifllak

Vendbanimi romak i Çifllakut ndodhet në afërsi të rrjedhjes së Drinit të Bardhë në krahun e majtë të tij. Kufizohet në veri me fshatin Kramovik, në lindje me Gurin e Kuq, ndërsa në perëndim me Meqen dhe Rakovinën. Lokaliteti shtrihet në pjesën më të madhe të tarracës së krijuar nga veprimtaria lumore në një fushë mjaftë pjellore me një pozicion të favorshëm gjeografik. Hulumtimet e zhvilluara në pjesën e parë të mileniumit tonë, gjegjësisht gërmimet e kontrollit të vitit 2001 dhe gërmimet arkeologjike të vitit 2002 dhe 2004, identifikuan gjurmë të një kompleksi banimi të periudhës romake të përbërë nga banesa romake (shtëpi banimi), ambiente tjera përcjellëse dhe të një terme gjegjësisht të një banje romake me përmasa shumë të mëdha, ku ndër të tjera u dokumentuan edhe pjesë të ambientit të pishinës. Strukturat arkitektonike dhe materialet e zbuluara treguan që kemi të bëjmë me një lokalitet të periudhës romake të shekujve I-IV. Muret ishin të ndërtuara me gurë dhe tullë, të lidhura me llaç gëlqeror të cilësisë së mirë, ka ambiente ku është hasur edhe në suva të brendshme – afreska, dhe shtresë hidro-izoluese, llaç gëlqeror i përzier me pluhur tulle.
Materiali i pasur arkeologjik i zbuluar këtu ka një larmi dhe tipologji të begatë të prodhimit lokal si dhe terrasigilata e importuar. Gjithashtu u zbuluan vegla pune të ndryshme, tjegulla e tulla të ndryshme, enë kuzhine të përmasave dhe formave të ndryshme, enë qelqi, stoli metali, si dhe monedha, fragmente arkitektonike e artefakte të tjera të përdorimit të përditshëm.
Shikuar në aspektin kronologjik, vendbanimi i Çifllakut datohet gjatë tërë periudhës romake të shekujve I-IV, dhe këtu u konstatuan dy faza ndërtimi të kohës në fjalë. Periudha e parë e ndërtimit është e shekujve I-II dhe e dyta III-IV.