Teqeja e Madhe në Rahovec i takon tarikatit Halveti. Ky objekt sakral islam gjendet në qendër të qytetit të Rahovecit. Teqeja e Halvetive në Rahovec është ndërtuar në vitin 1732. Themeluesi i kësaj teqeje është: Sheh Sylejman Baba Rahoveci, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1771.
Kompleksi i teqesë përbëhet nga disa njësi kryesore: teqeja me hapësirat e dedikuara për besimtarët e Tarikatit Halveti; dy tyrbe ku janë varrosur udhëheqësit shpirtëror të teqesë; oborri dhe hapësirat ekonomike.
Ndërtesa e teqesë ka planimetri jo të rregullt ku gjenden dhoma e Shehut, dhoma e takimit të besimtarëve me Shehun, salla e lutjeve – Semahanja dhe biblioteka e cila posedon një fond të pasur me libra e dorëshkrime të vjetra. Në jug të teqesë është e bashkangjitur tyrbja e cila formon fasadën e kompleksit kah rruga kryesore. Fasada ballore përbëhet nga nëntë dritare me hapje gjysmë rrethore, dhe është e pa suvatuar ku shihet struktura e gurëve të gdhendur në formë të rregullt. Teqeja është e ndërtuar me gurë, ndërsa kulmi fillimisht ka qenë i mbuluar me rrasa guri, material tradicional karakteristik për Rahovecin dhe rajonin, kurse më vonë ato janë zëvendësuar me tjegulla argjile.
Enterieri i teqesë ka një trajtim të lartë etnologjik dhe është i pasur me elemente tradicionale të teqesë, sikurse: libra dhe dorëshkrime të vjetra, vegla, instrumente muzikore etj. Konstruksioni i saj përbehet nga druri i stilizuar dhe i përpunuar mire. Është ndërtuar nga mjeshtrit vendor. Në dhomën e lutjeve – semahane, gjendet nisha që e shënon mihrabin, e cila është e dekoruar me pllaka qeramike me motive gjeometrike. Teqeja gjatë periudhave të ndryshme kohore ka përjetuar intervenime të ndryshme për adaptim në kushtet moderne.
Trashëgimia kulturore
Teqja Halveti, Rahovec
Halveti Tekke, Rahovec