Një ndër objektet e trashëgimisë kulturore të periudhës osmane është (ishte) edhe xhamia e vjetër në fshatin Drenoc. Fatkeqësisht, kjo ndërtesë që ka arritur të përballojë kushtet atmosferike dhe luftërat e konflikteve të ndryshme nuk arriti të përballojë injorancën dhe vetëdijen e ultë të individëve të caktuar, që pa hamendje e rrënojnë të vetmin monument kulture që ka pasur fshati. Në vend të kësaj xhamie ata e ndërtojnë një të re pak metra më tutje (veri) duke i hapur rrugën një pjese të lagjes që gjendet në anën jugore të saj. E vetmja fatmirësi nga kjo fatkeqësi është mos-rrënimi i minares, pra mbeti një gjurmë nga ky monument disa shekullor. Xhamia e vjetër si i vetmi monument në këtë fshat rrënohet në vitin 2010, derisa minarja e vjetër ngelë në prapavijë (ballinë) të xhamisë së re.
Minarja e xhamisë është ndërtuar me gurë shpuzë dhe është ri-suvatuar në vitin 1958, duke u bazuar në një gravurë të bërë në trupin e saj. Pjesa e poshtme e galerisë (sherefesë) së minares është e zbukuruar me profilim modest, që është e zakonshme për xhamitë e lagjes. Çatia e minares (kylhani) nuk është origjinal dhe është rindërtuar më vonë. Pra, nga minarja ekzistuese origjinale është vetëm struktura ndërtimore, derisa suvaja dhe mbulesa janë të periudhës së vonshme.
Bazamenti i minares është gjashtëkëndësh ndërsa minarja në formë rrethore. Në sherefe arrihet me shkallët spirale.
Gjatë restaurimit të vitit 2012, bazamenti i minares është pastruar dhe është konservuar me llaç gëlqeror horosan. Gardhi mbrojtës i galerisë është riparuar duke rivendosur gurë shpuzë që mungonin dhe llaç gëlqeror si material lidhës. Konstruksioni i çatisë është rindërtuar tërësisht me material druri dhe është mbuluar me pllaka të plumbit. Në maje të saj është rivendosur dekor i ri (“alemi”) pasi ai ekzistuesi nuk ishte origjinal dhe ishte shumë i dëmtuar. Komplet minarja është suvatuar me llaç gëlqeror horosan në përjashtim të një pjese të saj rreh 1 m², duke lënë gjurmë për të treguar strukturën e muratimit. Pas restaurimit të vitit 2012 minarja sot është në gjendje të mirë.
Trashëgimia kulturore
Minarja e Xhamisë së Drenocit
Minaret of the Drenoc Mosque