Gjatë punimeve bujqësore në vendin e quajtur Rrëzina në fshatin Bratotin, janë zbuluar fragmente qeramike dhe themele banesash, struktura arkitektonike. Gjatë vrojtimeve sipërfaqësore arkeologjike, në këtë areal, mbi sipërfaqe u evidentuan fragmente të ndryshme të materialit arkeologjik si: fragmente të ndryshme tullash, tjegullash, amforash dhe pjesë të enëve të ndryshme të përdorimit të përditshëm.
Përgjithësisht materiali i imët i qeramikës ishte i punuar prej baltës shumë të pastër me ngjyrë kafe të çelët. Zbulimi i herëpashershëm i disa themeleve të banesave gjatë punimeve bujqësore, me sa duket flet për një vendbanim të periudhës së vonë romake.