Kulla e Ismet Çmegës gjendet në qendrën e vjetër të Rahovecit, në sheshin “Vrella”. Është ndërtuar gjatë shek. XIX nga ana e Dervish Meriqit, kurse tani është në pronësi të familjes Çmega.
Ndërtesa i ka veçoritë karakteristike të kullave që janë ndërtuar gjatë shek. XIX në rrafshin e Dukagjinit.
Ka planimetri katërkëndëshe me dimensione 6.3 x 4.3 m. Është e ndërtuar në përdhese dhe ka dy kate. Përdhesa dhe kati kanë nga një hapësirë, ku vetëm hapësira e shkallëve ndahet me mur të brendshëm. Bazuar në skemën tipike funksionale të kullave, ambienti më karakteristik që paraqitet në katin e dytë është dyshekllëku. Edhe në këtë kullë dyshekllëku i gurit shtrihet në të dy anët e kullës, në gjithë ballin e fasadës jugore dhe pjesërisht në atë perëndimore.
Muret në përdhese janë ndërtuar nga gurë vendorë me një gjerësi rreth 60 cm, kurse në kate janë punuar nga dheu i pjekur – qerpiçi. Material tjetër që hasim në ndërtimin e kësaj kulle është druri, i cili është përdorur për ndërtimin e konstruksionit të kulmit si dhe për konstruksion mes-katesh në formë të trarëve dhe dyshemesë nga dërrasat.
Kulmi është katër-ujor i mbuluar me rrasa guri, mbulesë karakteristike e kulmeve të rajonit të Rahovecit.
Prej kohës kur është ndërtuar e deri tani, kulla është shfrytëzuar për banim, kurse sot është e pabanuar.
Ndërhyrjet restauruese të vitit 2014 kanë ndikuar në konsolidimin e strukturës së kullës, duke i rikthyer vlerat këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të rajonit të Rahovecit
Trashëgimia kulturore
Kulla e Ismet Çmegës, Rahovec
Ismet Çmega’s Tower House, Rahovec