Kulla-shtëpi e Hajrullah Çantës gjendet në Rahovec, në sheshin “Republika”. Supozohet të jetë ndërtuar kah fundi i shek. XVIII. Prej kohës kur është ndërtuar e deri tani ka pësuar mjaft transformime, si në aspektin fizik, po ashtu edhe në atë funksional.
Fillimisht ka shërbyer si kullë banimi dhe vrojtimi, kurse gjatë shek. XIX e deri në vitin 1908 ka shërbyer si bazë ushtarake e Perandorisë Osmane. Pas kësaj periudhe përsëri është adaptuar për banim.
Kulla-shtëpi ka planimetri katërkëndëshe jo të rregullt dhe është e ndërtuar në përdhese të lartë dhe kat.
Fasadat veriore dhe lindore e kufizojnë ndërtesën me rrugën, dhe kanë një trajtim të thjeshtë linear pa ndonjë dekorim. Fasada ballore (jugore), e cila është e orientuar kah oborri i brendshëm, ka një trajtim të lartë artistik. Në këtë fasadë theksohet pjesa qendrore, e cila del nga perimetri duke krijuar efekt të dritëhijes, si dhe porta dhe dritaret në përdhese me hark gjysmë-rrethor, të punuar nga gurë të gdhendur me ngjyrë të bardhë, kaltër dhe të verdhë.
Muret në përdhese janë ndërtuara nga gurë të gdhendur në formë drejtkëndëshi, të vendosura në mënyrë të rregullt duke krijuar brezat horizontale. Muret në kat kryesisht janë ndërtuar nga tullat e argjilës të lidhur me llaç gëlqeror. Në fasadën veriore, një pjesë e murit në kat është nga guri, sikurse në përdhese. Ky fakt na shtyn të supozojmë se kulla në fillim duhet të jetë ndërtuar tërësisht nga guri, kurse kati duhet të jetë rindërtuar më vonë me tulla argjile.
Kulmi është katër-ujor, fillimisht i mbuluar me rrasa guri, kurse gjatë mesit të shek. XX është mbuluar me tjegulla nga argjila.
Në enterier të shtëpisë janë ruajtur elementet origjinale tradicionale, të cilat karakterizohen me një nivel të lartë të drugdhendjes. Nga elementet në enterier vlen të theksohen: dyert e vjetra nga druri të dekoruara me forma gjeometrike, tavanet nga druri të punuara në stilin “shishe tavan”, kapakët e dollapëve të vendosur në mur dhe dritaret dyshe me kornizë druri dhe grila metalike kah ana e brendshme.
Në pjesën jugore të shtëpisë shtrihet oborri i rrethuar me mur, që e ndanë hapësirën e shtëpisë nga rruga kah ana juglindore. Në oborr janë ndërtuar ndërtesa të reja për të plotësuar nevojat e pronarëve, duke e ngufatur pamjen e kësaj kulle-shtëpie.
Pozita e vendosjes së kullës, fasada ballore e theksuar, materialet dhe teknika e ndërtimit, enterieri i dekoruar me elemente të drugdhendjes, krijojnë karakteristikat kryesore të kësaj kulle-shtëpie.
Trashëgimia kulturore
Kulla e Hajrullah Çantës, Rahovec
Tower House of Hajrullah Çanta, Rahovec