Kulla e familjes Berisha gjendet në fshatin Kramovik të Komunës së Rahovecit. Kulla paraqet një shembull të rrallë të ndërtimit të kullës me materiale të kombinuara. Përdhesa është ndërtuar nga gurë, kurse kati nga tulla të qerpiçit të përforcuar me hatulla nga druri.
Ka planimetri drejtkëndore, të ndërtuar në përdhese dhe kat. Fasada ballore veçohet me dyshekllëkun, i cili del në trajtë konzolle, ku gjenden katër dritare me hapje gjysmë-rrethore. Në këndet e fasadës ballore gjenden gjithashtu dekorimet në formë rrethore, të punuar nga qerpiçi. Kulmi i kullës është katër ujor me konstruksion druri, fillimisht ishte i mbuluar me rrasa guri, tipike për këtë pjesë të Kosovës, pastaj me kohë, rrasat u zëvendësuan me tjegulla argjile.
Organizimi i brendshëm i kullës supozohet të ketë qenë i zakonshëm për kulla të tilla, përdhesa është përdorur për bagëti dhe ambiente ekonomike ose magazine, kurse kati i kullës për banim. Në enterier nuk kemi ndonjë pjesë të ruajtur për arsye të gjendjes së objektit.
Kulla është në gjendje të rëndë fizike ku një pjesë e konsiderueshme e strukturës është e rrënuar. Nën mëshirën e kohës dhe pa kujdesin e nevojshëm, kulla do të kolapsoj nëse shumë shpejtë nuk intervenohet për ta shpëtuar këtë perlë arkitekturore të fshatit, komunës dhe rajonit.
Shembuj të arkitekturës tradicionale të banimit të shekujve XVIII dhe XIX na paraqiten si kategori e rrezikuar, sidomos në zonat më të largëta rurale. Duke marrë parasysh këtë fakt, ruajtja e shembujve të mbetur të arkitekturës së banimit tradicional është me rëndësi të madhe për trashëgiminë tonë kulturore.
Trashëgimia kulturore
Kulla e Familjes Berisha, Kramovik
Berisha Family Kulla, Kramovik