Rrënojat e vendbanimit të ngritur e të fortifikuar që nga Periudha e Hekurit e me intensitet të madh banimi posaçërisht gjatë Antikitetit të Vonë e Mesjetës së hershme të “Gradishtës” së Zatriqit, ndodhen në majën e kodrës së Zatriqit, me kuotë maksimale prej 1039 metra mbi nivelin e detit. Vendbanimi i fortifikuar është i vendosur në një tarracë në formë trekëndëshi. Nga maja e kodrës shihet mjaft mirë vargmali që ndan Rrafshin e Kosovës me Rrafshin e Dukagjinit. Nga fortesa e Zatriqit vështrimi është i hapur drejt zonave të Llapushës, Klinës, Istogut e Pejës. Nga jugu shihen gjithashtu fushat e Rahovecit, Gjakovës e Prizrenit.
Ky “qytet fortesë” e tipit të vendbanimeve shumështresore, është ngritur në një linjë perimetrike që ndjek izoipset e terrenit duke shfrytëzuar dhe mbrojtjen natyrore që ishte integruar natyrshëm në sistemin mbrojtës të saj. Muret e fortesës dallohen me vështirësi mbi sipërfaqe, gjë që nuk lejon përcaktimin e përmasave të tyre, megjithatë në disa vende është arritur të konstatohen elemente teknike të murit rrethues. Muret ishin të punuara me gurë mesatar të lidhur me llaç gëlqeror. Kjo teknikë e murimit është përdorur në gjithë muret rrethuese që sot vështirë është të dallohen mbi tokë.
Fortifikimi ka një sipërfaqe afërsisht 0.2 ha, ku poshtë tij ka edhe një tarracë të dytë në formë trekëndëshi, ku dikur vëreheshin edhe gjurmët e banesave. Në të gjithë sipërfaqen e fortifikuar, si edhe në “Arat e Gradishtës”, që gjenden të tarracuara pranë fortesës, janë dokumentuar fragmente enësh prej argjilës së pjekur, të periudhave të ndryshme si: Hekurit, Helenistike, Antike të Vonë e Mesjetare.
Megjithatë, e veçanta e këtij lokaliteti arkeologjik me karakter fortifikues qëndron në faktin e identifikimit nga specialist Italian të Artit Shkëmbor të periudhave parahistorike, këto të pasqyruara në shenja dhe simbole që supozohet të jenë krijuar nga dora e njeriut shtatë mileniume më parë.
Trashëgimia kulturore
Gërmadhat e Gjytetit – Fortesë Antikë
Ruins of Gjyteti – Ancient Fortress