Në veriperëndim të fshatit Guri i Kuq, mbi kodrën e njohur me emrin Gradina, gjenden gjurmë të qarta të një fortifikimi. Maja e kodrës ka pamje vizuale me ambientin përreth, me fushat nga Istogu, Klina, Peja, Deçani, Gjakova e Prizreni.
Fortifikimi në majën e kodrës ka formë vezake me përmasa 50 x 65 m, me një sipërfaqe afër 0.35 ha. Ai është i përbërë nga dy rrathë fortifikues, që përbëjnë pjesën e kështjellës dhe citadelën e saj. Kjo mënyrë fortifikimi është mjaft e përhapur në kështjellat e këtij rajoni.
Citadela përbëhet nga mure me formë vezake, me përmasa rreth 35 x 25 m. Ana perëndimore rrethohet nga shkëmbinj, të cilët janë mbathur aty këtu me mure, të cilët janë të lidhur në të thatë, teknikë kjo që është hasur edhe në Pogragjë të Klinës. Nga veriu, vargu shkëmbor ndiqet në vazhdim nga një mur i ruajtur në trajtën e një ledhi të gjerë 2-3 m, i cili përbëhet nga gurë të vegjël e mesatarë, me sa duket i lidhur me llaç të dobët gëlqeror. Faqet e murit janë të dëmtuara dhe të mbuluara vegjetacioni i dendur. Në pjesën lindore të citadelës, ku terreni është i butë, janë konstatuar gjurmët e një hyrjeje, krijuar nga ndërprerja e murit rrethues. Rreth fortifikimit të citadelës, në maje të kodrës, rreth 30-40 m distancë nga jashtë ndodhet muri rrethues i kështjellës. Ky mur ishte i ndërtuar me gurë të vegjël dhe mesatarë, e në ca vende i plotësuar me shkëmbinj të thepisur.
Teknika e dobët e ndërtimit dhe adaptimi i terrenit fortifikues në fortifikatë, na bëjnë të mendojmë që kemi të bëjmë me një ndërtim të shpejtë, urgjent, i cili është përdorur për raste emergjente.
Nga kontrolli në sipërfaqe të terrenit nuk është gjetur ndonjë gjetje që mundëson datimin e saktë të lokalitetit, por nga forma e kështjellës, planimetria e tillë dhe teknika e ndërtimit na thotë që ky vend është përdorur që nga parahistoria, por ndërtimi i mureve rrethuese me llaç gëlqeror na tregon që kjo fortifikatë është përdorur si vend strehim edhe në periudhën e Antikitetit të Vonë.
Trashëgimia kulturore
Fortifikata Guri i Kuq
Guri i Kuq Fortification