Xhamia gjendet në qendër të fshatit Zatriq, 12 km në veri të qytetit të Rahovecit. Bazuar në të dhënat është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVIII. Një pjesë e xhamisë është shfrytëzuar për lutje, kurse pjesa tjetër si mejtep – shkollë fillore.
Ndërtesa e xhamisë ka planimetri drejtkëndëshe dhe i takon tipit të xhamive të fshatit. Është e ndarë në dy pjesë, ku ana e djathtë shërben për lutje kurse ana e majtë si shkollë. Në anën e djathtë, në pjesën veri-perëndimore gjendet hajati me planimetri drejtkëndëshe. Hajati është i mbyllur, dhe mundëson qasjen në sallën e lutjes, dhe nëpërmjet shkallëve të drurit në mahvil – galerisë.
Salla e lutjes ka planimetri drejtkëndore të mbuluar me tavan të rrafshët, mbi të cilin gjendet kulmi katër ujor i mbuluar me tjegulla. Qasja në sallën e lutjes bëhet nëpërmjet hajatit.
Në enterierin e sallës së lutjes janë ruajtur elementet origjinale, mihrabi, mimberi, gardhi i mahvilit dhe tavani të cilët janë punuar me teknikë tradicionale të ndërtimit.
Shkolla (mejtepi) – gjendet në anën verilindore të sallës së lutjes dhe është e ndarë në përdhese dhe kat.
Minarja gjendet në murin perëndimor të xhamisë, ka bazë gjashtë këndore me lartësi rreth 3 metra, dhe ngushtohet duke formuar bazën rrethore deri në maje. Minarja është ndërtuar nga gurët e thyer vendor. Ka një lartësi mesatare, mbulohet me kulmin në formë koni nga llamarina, dhe karakterizohet me sherefenë – ballkonin rrethor, me dekorim dhëmbëzor në pjesën e poshtme.
Xhamia së bashku me mejtepin kanë luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin e vendasve si dhe në jetën shoqërore të fshatit.