Shtëpia Muze “Ukshin Hoti” gjendet në largësi rreth 770m në të djathtë (lindore) të rrugës magjistrale Prizren-Gjakovë në fshatin Krushë e Madhe, Komuna e Rahovecit.
Shtëpia ka qenë e ndërtuar në vitin 1987 me arkitekturë rurale të kohës. Ka formë të germës “L” e ngritur nga niveli i tokës për 60 cm ku në qendër është holli hyrës me banjën dhe anash janë nga një dhomë. Objekti ka qenë e ndërtuar me mure mbajtëse prej blloqeve të argjilës dhe llaç vazhdues si material lidhës. Shtyllat kanë qenë prej betoni të armuar ndërsa pllaka është ndërtuar me sistemin gjysmë montazh “fert”. Gjatë luftës së fundit (1999) ndërtesa është djegur në tërësi, ndërsa është rindërtuar dhe adaptuar në vitin 2013.
Rindërtimi dhe adaptimi i ndërtesës për muze është bërë nga Komuna e Rahovecit duke ruajtur formën, madhësinë, volumin dhe arkitekturën origjinale që ka pasur para vitit 1999. Gjatë rindërtimit të shtëpisë një pjesë e saj është ruajtur në gjendjen e dëmtuar nga lufta e vitit 1999 dhe ajo tanimë është pjesë e historisë së familjes Hoti. Kështu nga viti 2013 shtëpia funksionon si muze ku prezantohen materialet dhe gjësendet e ndryshme që lidhen me personalitetin e Ukshin Hotit. Pjesë e muzeut është edhe pjesa origjinale e shtëpisë së dëmtuar gjatë luftës së vitit 1999. Rindërtimi i shtëpisë është bërë me materiale të ngjashme ndërtimore, respektivisht me blloqe të argjilës (muret) dhe beton i armuar (themelet, shtyllat dhe trarët). Është suvatosur me llaç gëlqeror vazhdues nga brenda dhe jashtë ndërsa dyshemetë janë shtruar me laminat përveç banjës që është me pllaka të qeramikës. Pjesa origjinale e shtëpisë që gjendet në anën lindore është ruajtur në gjendje ashtu të dëmtuar ku shihen blloqet e thyera, suvaja e dëmtuar dhe dyshemeja prej dërrasave.
Shtëpia muze e Ukshin Hotit përmban vlera të rëndësishme historike dhe shoqërore për popullin shqiptar në përgjithësi dhe për shtetin e Kosovës në veçanti. Duke pasur parasysh personalitetin e Ukshin Hotit si figurë e rëndësishme të historisë së re të Kosovës, atëherë është me interes nacional të bëhet prezantimi i gjithëmbarshëm i veprimtarisë së tij, kushtet dhe rrethanat ku ka jetuar dhe vepruar si dhe objektet e artefaktet që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me personalitetin e tij.
Shtëpia-muze “Ukshin Hoti”, me dy ndërtesa njëkatëshe të adaptuara me hapësira ekspozuese dhe oborrin prej 40 ari, përbën qendrën historike të kujtesës kolektive dhe të sakrificës njerëzore për liri e të drejta kombëtare. Kjo qendër mbartë vlera universale historike dhe shoqërore dhe cilësohet trashëgimi kulturore me rëndësi kombëtare, dhe që duhet ruajtur, mbrojtur e kultivuar nga brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Në enterier janë vendosur disa vitrina dhe rafte si dhe fotografi të varura në mure ku prezantohet jeta dhe veprimtaria e Ukshin Hotit. Shndërrimi i shtëpisë në muze ka disa mangësi që duhej korrigjuar ose ri-konceptuar organizimin dhe prezantimin e eksponateve dhe ambientit si tërësi.
Muzeu ka një oborr mjaft të madh ku një pjesë e saj është shtruar me pllaka të betonit ndërsa para ndërtesës gjendet busti i Ukshin Hotit.